Sa ujë duhet të pini çdo ditë? Udhëzimi sipas moshës
Uji është themeli i jetës dhe luan një rol kyç në funksionimin normal të organizmit. Ai përbën rreth 60% të peshës trupore tek të rriturit dhe ndihmon në rregullimin e temperaturës, transportin e lëndëve ushqyese dhe oksigjenit, si dhe eliminimin e mbetjeve. Ndryshe nga ushqimi, pa të cilin mund të mbijetojmë për javë të tëra, mungesa e ujit për më shumë se tre ditë mund të jetë fatale.
Shumë ekspertë rekomandojnë konsumimin e rreth 2.5 litra ujë në ditë, por sasia e duhur ndryshon sipas moshës, gjinisë, peshës trupore, aktivitetit fizik dhe kushteve klimatike.
Sa ujë duhet sipas moshës?
- 0–6 muaj: 100–190 ml për kilogram peshë trupore
- 6–12 muaj: 800 ml – 1 litër në ditë
- 1–2 vjeç: 1.1 – 1.2 litra
- 2–3 vjeç: rreth 1.3 litra
- 4–8 vjeç: 1.6 – 2.1 litra
- 9–13 vjeç: djemtë 2.1 litra, vajzat 1.9 litra
- Mbi 14 vjeç: vajzat 2 litra, djemtë 2.5 litra
- Gratë shtatzëna dhe ato që ushqejnë me gji kanë nevoja më të larta: 300 ml shtesë gjatë shtatzënisë dhe deri në 700 ml gjatë periudhës së gjidhënies.
Konsumimi i ujit mund të rrisë metabolizmin dhe të ndihmojë në kontrollin e peshës. Studimet tregojnë se gjysmë litri ujë në mëngjes mund të rrisë përkohësisht shpenzimin e energjisë deri në 30%, ndërsa uji ndihmon gjithashtu në reduktimin e ndjenjës së urisë.
Si të pini më shumë ujë?
- Mbani një shishe të vogël me vete (rreth 500 ml)
- Vendosni ujë në vende të dukshme në shtëpi apo në zyrë
- Pini me gllënjka të vogla gjatë gjithë ditës
- Shtoni feta frutash ose mente për shije
Rreziqet e dehidratimit
- Humbje 1% e ujit trupor: lodhje, ulje energjie
- Humbje 5%: probleme përqendrimi, nervozizëm, dhimbje koke
- Humbje mbi 8%: rrezik serioz për jetën
Ngjyra e urinës mund të ndihmojë në kontrollin e hidratimit: e çelët tregon hidratim të mirë, ndërsa e errët sinjalizon nevojën për më shumë ujë.
Uji nuk është vetëm një pije për të shuar etjen, por një “ushqim” jetik për trupin. Hidratimi i rregullt është kyç për metabolizëm të shëndetshëm, energji dhe mirëqenie të përgjithshme.
Flaka
















