Taravari: Deri të premten pritet të arrihet marrëveshja finale për formimin e Qeverisë
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët dhe një ndër liderët e koalicionit VLEN, Arben Taravari në pyetje të gazetarëve në lidhje me negociatat për formimin e Qeverisë u shpreh se negociatat pritet të përfundojnë javën e ardhshme.
“Unë besoj se javën e ardhshme do të përfundojnë negociatat. Ekipet punojnë intensivisht për programin qeveritar, por njëkohësisht besoj se prej ditës së hënë do të fillojë edhe ndarja e resoreve”, u shpreh Taravari.
Taravari shprehet optimist se deri të premten do të arrihet marrëveshja finale për formimin e Qeverisë.
“Tash për tash është një atmosferë shumë pozitive, ka kuptueshmëri nga të dyja anët dhe unë jam shumë optimist se deri të premten, do ta kemi marrëveshjen finale për qeverisjen e ardhshme”, deklaroi Taravari.
Në lidhje me zhvillimet në Gjykatën Administrative për sjelljen e vendimit për rivotim, Taravari u shpreh se kryetari i Gjykatës Administrative ushtron presion ndaj gjyqtarëve.
“Nga mëngjesi kam informata se ka presion të jashtëzakonshëm prej kryetarit të Gjykatës Administrative, i cili ushtron presion ndaj gjykatësve të cilët duhet ta punojnë lëndën për rivotim. Uroj dhe shpresoj se gjykatësi ta mendon se gjykatësi mund të ketë përgjegjësi për të gjithë, duke përfshirë edhe gjykatësin në qoftë se vazhdojnë të ushtrojnë presion”, tha Taravari duke shtuar se gjykatësit duhet të vendosin pa marrë anë dhe në mënyrë të drejtë.
Në fund, Taravari shtoi se BDI është mësuar që ta ketë gjykatën me vete dhe nën kontroll.
“BDI është mësuar që ta ketë gjykatën e vete dhe nën kontroll të vet, dhe çdo gjë, si të vendosin në Reçicë ashtu të sillet vendim edhe gjykatësi. Besoj se kryetari i gjykatës duhet ta mendojë se pas 15 qershorit do të ketë Qeveri të re dhe nuk është normale që të bëhet presion ndaj gjykatësve për sjelljen e vendimit”, u shpreh Taravari.