Mediat online, Jonuzi: Nevojitet platformë më e fuqishme lobimi
Në intervistën: Pesë pyetje flakë në Flaka gazetari dhe themeluesi i portalit Press Online, Destan Jonuzi është pyetur për organizimin e mediave online në kuptomin e asociacioneve apo shoqatave që do të mbronin portalet nga konkurenca jolojale, diskriminimi institucional dhe përfshirjet ligjore në vend
“Puna e mediave online në Maqedoninë e Veriut është ende në një fazë të zhvillimit dhe ka shumë hapësirë për përmirësim, sidomos kur bëhet fjalë për mbrojtjen e portaleve nga konkurrenca jolojale, diskriminimi institucional dhe përfshirjet ligjore. Në përgjithësi, ndonëse ka disa organizata dhe shoqata që angazhohen për të mbrojtur interesat e mediave online, siç është Shoqata e Gazetarve të Maqedonisë, Këshilli Etikës, platforma Promedia e SHGM-së, ato shpesh kanë sfida të mëdha në sigurimin e një mbrojtjeje të duhur dhe efektive”, shprehet Jonuzi.
Sipas tij, një nga arsyet kryesore është se shumë media online janë të varura nga financimi publicitar dhe mund të jenë të ndikuara nga interesat e grupeve të ndryshme. Kjo ndikon në lirinë e shtypit dhe mund të krijojë mundësi për konkurrencë jolojale, si dhe për diskriminim nga ana e institucioneve shtetërore.
“Nga ana tjetër, ligjërimi dhe rregullat ligjore që lidhen me median online janë ende të paqarta dhe shpesh mund të përdoren për të kufizuar lirinë e shprehjes. Në këtë kontekst, shoqatat që angazhohen për mbrojtjen e interesave të mediave online duhet të luftojnë për krijimin e një kornize ligjore të balancuar që mund të mbrojë portalet nga këto ndikime të jashtme dhe të përfshijë rregullore të qarta për të adresuar konkurrencën jolojale dhe praktikën e padrejtë. Për të pasur një rritje të qëndrueshme dhe mbrojtje të duhur të medias, do të ishte e nevojshme që këto organizata të forcohen dhe të krijojnë një platformë më të fuqishme lobimi që mund të ndikojë në politikat e qeverisë dhe të krijojë një ekosistem më të drejtë për të gjitha mediat online”, shton Jonuzi.
Në intervistën për Flaka, Jonuzi flet për konkurencën jo-lojale në tregun medial, për atë se portalet shpesh kritikohen për lajme jo profesionale, por matja e opinionit publik tregon që portalet janë burimi kryesor i informimit, për atë se si mediat tradicionale po i përshtaten kohës dhe po transferohen edhe në media online, nëse në Maqedoninë e Veriut ka media të privilegjuara nga ana e shtetit, në kuptimin e ndarjes së mjeteve financiare dhe subvencioneve dhe sa mediat online janë të organizuara në kuptimin e asociacioneve apo shoqatave që do të mbronin portalet nga konkurenca jolojale, diskriminimi institucional dhe përfshirja e tyre në ligjet e mediave.