BDI dhe VLEN përplasen për spitalin e Gostivarit

Flaka
Botuar nga Flaka 4 Shkurt, 2025 14:56

BDI dhe VLEN përplasen për spitalin e Gostivarit

Të nderuar qytetarë, gjatë ditëve të fundit, ashtu siç jeni të informuar nga mediat, mjeku Argjent Muça ka dhënë dorëheqje nga posti i drejtorit në Spitalin e Përgjithshëm në Gostivar. Pas dorëheqjes së tij, drejtimin e Spitalit të Gostivarit e ka marrë Besnik Zeqiri, reaguan sot nga BDI-ja e Gostivarit.

Nga atje thonë që ky zhvillim ka ngritur shqetësime dhe pyetje lidhur me stabilitetin dhe menaxhimin e institucioneve shëndetësore në vend, aq më tepër kur këto ndryshime ndodhin brenda natës dhe nuk jepen arsye për këto ngarkime dhe shkarkime nëpër poste publike.

“Qytetarët kërkojnë të dinë se çfarë po ndodh me Spitalin e Gostivarit dhe përse po ndodhin kaq shpesh ndryshimet e drejtorëve, pasi ministri i Shëndetësisë, Arben Taravаri, ende nuk ka dhënë asnjë sqarim për lëvizjet e fundit. Si mundet që një institucion publik të mos ketë transparencë ndaj qytetarëve të atij vendi dhe gjithçka të kalojë në heshtje? Shpresojmë që Taravari e di se fati i pacientëve dhe ofrimi i shërbimeve spitalore nuk vendosen nëpër zyrat e partive, por nëpër institucionet që duhet të drejtohen me nder dhe llogaridhënie”, vijon kumtesa.

“Edhe pse u largua Muça dhe erdhi Zeqiri, qytetarët kërkojnë të dinë se a do të vazhdojë avazi i vjetër edhe me drejtorin e ri, duke larguar nga puna mjekë dhe staf profesional, vetëm për mendësi partiake dhe dallime politike. A është e vërtetë që konfliktet brendapartiake janë shkaku i këtyre ndryshimeve? Ky ndryshim, për të cilin para 7 muajsh, pas emërimit të ish-drejtorit, u prezantua me krenari dhe pompozitet për projekte dhe plane që do të realizoheshin, ndërsa e gjithë kjo situatë ndryshoi brenda natës dhe sot kemi dikë tjetër në krye të atij institucioni. A mos ka ndonjë arsye tjetër, të cilën me anë të këtij rotacioni dëshironi ta fshehni?, pyesin nga BDI.

“Po ashtu, mos të harrojmë se për 7 muaj qeverisje, mbi 15 të punësuar shqiptarë u larguan nga puna në Spitalin e Qytetit, vetëm për shkak të bindjeve të tyre partiake. A thua ardhja e tashmë ish-drejtorit Argjent Muça ishte vetëm për të orkestruar këto largime të personelit shqiptar? Në vend të transfereve nga partia në parti brenda koalicionit VLEN, do të ishte më në vend që të jepen sqarime dhe të flitet për investime konkrete në spital, për të cilat u zotuan bashkë me tashmë ish-drejtorin e dorëhequr. Për këto çështje dhe shumë të tjera që i kemi përmendur edhe më herët, jemi të detyruar që të kërkojmë transparencë për gjithë qytetarët dhe të sigurojmë se Spitali i Gostivarit do të vazhdojë të funksionojë në interes të qytetarëve dhe pacientëve të tij, pa ndikime politike dhe pa pasur vend për hakmarrje”, vijon kumtesa.

Spitali i qytetit, shtohet në kumtesën e BDI, duhet të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve, pa dallim kombësie, religjioni, apo përcaktimi partiak.

Përgjigjen nga VLEN. Nga koha e Ndryshimit, apo për shtatë muaj, në Spitalin e Përgjithshëm “Ferit Murad” në Gostivar, u bënë mbi 500 mijë euro investime. Investimet nuk ndalen, pasi me dhjetëra projekte janë në realizim e sipër, të cilat BDI nuk arriti t’i bëjë me vite derisa menaxhonte institucionin kryesorë të shëndetësisë në Gostivar, vijon kumtesa.

Sipas tyre, janë sjellur shumë aparatura të reja, janë shtuar shërbimet mjekësore me çka dëshmohet se kujdesi kryesorë kanë qenë pacientët, e jo rahatimi i militantëve partiak. Punësimet nga koha e Ndryshimit në Spitalin e Gostivarit nuk bëhen më përmes konkurse partiake siç bëheshin në kohën e BDI-së e as me shkelje të procedurave dhe ligjeve.

“Qytetarët nuk harrojnë, dhe kujtojmë vetëm konkursin e fundit para zgjedhjeve i cili ishte skandaloz. Poashtu, qytetarët nuk harrojnë se si në konkurset e BDI-së kuadrot e kualifikuara nuk pranoheshin në punë edhe pse i përmbushin të gjitha kushtet. Qytetarët nuk harrojnë edhe video dëshmitë ku drejtorët e BDI-së thonin se urdhri për mos i pranuar në punë të kualifikuarit “vinte nga lartë”, vijon përgjigja.

Nga VLEN thonë që Argjen Muça për shkurt kohë bëri më shumë se drejtorët tuaj të “përjetshëm” dhe u largua faqebardhë për arsye të cilat ishin personale që i ka bërë të ditura dhe opinioni e di. Me Besnik Zeqirin, Spitali i Gostivarit do të vazhdojë investimet, do të punësohen njerëz më meritorë pa mos pasur nevojë për libreza partiake, nuk do të ketë skandale dhe borxhi i trashëguar i spitalit prej rreth 400 mijë euro nga koha e BDI-së, do të vazhdojë të ulet.

“Koalicioni VLEN mbetet i përkushtuar për të sjellë ndryshime pozitive dhe për të ndërtuar institucione publike që u shërbejnë të gjithëve, pa dallim dhe me transparencë të plotë.  Qytetarët e Gostivarit meritojnë një sistem shëndetësor të fortë dhe efikas, dhe me Besnik Zeqirin në krye të Spitalit, ky vizion po bëhet realitet”, përfundon përgjigjea nga VLEN.

Flaka
Botuar nga Flaka 4 Shkurt, 2025 14:56
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Marrja e paautorizuar e teksteve dhe videove me të drejtë autoriale ose ndonjë përmbajtje të ngjashme pa pëlqimin paraprak me shkrim të Flaka Media do të konsiderohet shkelje e të drejtave autoriale dhe për këtë Flaka e ruan të drejtën të kërkojë kompensim përkatës monetar.Mosrespektimi dhe abuzimi i të drejtave autoriale dhe të drejtave simotër dënohet me ligj.Çdo marrje e paautorizuar, shfrytëzim, përdorim apo publikim i tekstit, fotografitë ose videot apo çfarëdo përmbajtje tjetër e ngjashme që paraqet pronësi të Flaka Media, pa pëlqim paraprak me shkrim nga redaksua, ndalohet rreptësisht dhe për të njëjtën paguhet kompensim përkatës financiar, për çka pronari ka të drejtë të nis procedurë përkatëse.Në rast të marrjes së teksteve autoriale dhe videove apo çfarëdo përmbajtje tjetër, në mënyrë të obligueshme nevojitet pëlqim paraprak nga Flaka Media dhe vendosje të linkut që do të çojë deri në web faqen e Flaka Media.