Kërkohet kufizimi i shpenzimeve të udhëtimit për deputetët

Flaka
Botuar nga Flaka 9 Shkurt, 2025 13:17

Kërkohet kufizimi i shpenzimeve të udhëtimit për deputetët

Ligji për kufizimin e shpenzimeve të udhëtimit i paraqitur nga Levica është në rendin e ditës së seancës parlamentare të së mërkurës, njoftoi sot kjo parti. Levica kërkon uljen e këtyre privilegjeve zyrtare, duke nisur nga kufizimi i shumave për shpenzimet e udhëtimit të deputetëve.

Shpenzimet e udhëtimit po keqpërdoren nga zyrtarët, gjë që krijon zhgënjim të jashtëzakonshëm te qytetarët, thotë Levica.

“Propozimi i Levicës është që shpenzimet e udhëtimit të llogariten sipas çmimit të tregut prej 6.5 litra karburant për çdo 100 kilometra të kaluar. Besojmë se kjo është një zgjidhje shumë më realiste dhe racionale, e pranueshme për të gjithë Kuvendin dhe do t’i japë fund shumave astronomike që deputetët marrin nga buxheti i shtetit. Edhe Levica është pro heqjes së tyre të plotë, por për ta bërë të pranueshme për shumicën ne po e propozojmë ligjin në këtë formë”, tha Levica, transmeton Zhurnal.mk

Ata na kujtojnë se askush nga grupi parlamentar i Levicës nuk i shfrytëzon shpenzimet e udhëtimit e as qiranë, ndonëse ka deputetë edhe nga Gjevgjelia edhe nga Struga, nga ku, në fakt, deputetët marrin nga 800.000 denarë për shpenzime të udhëtimit.

“Deputetët e Levicës paguajnë qiranë e tyre në Shkup, nga pagat e tyre parlamentare. I bëjmë thirrje shumicës dhe qeverisë që në seancën e së mërkurës të miratojë këtë ligj racional për kufizimin e shpenzimeve të udhëtimit. Këto mjete mund të ripërdoren për të përmirësuar cilësinë e jetës së grupeve të varfëra dhe të cenueshme të qytetarëve, si në sferën shëndetësore ashtu edhe në atë sociale”, thonë nga Levica, transmeton Zhurnal.mk

Flaka
Botuar nga Flaka 9 Shkurt, 2025 13:17
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Flaka Media