Rama tregon sfidat për ndërtimin e tunelit të Murrizit: Kur plasën ujërat, thamë dështuam
Kryeministri Edi Rama, e cilëson një sfidë të përmbushur hapjen e tunelit të Murrizit. Pas inaugurimit, Rama tregoi sfidat për ndërtimit e tunelit, afati i përfundimit të të cilit u shty disa herë, për shkak të faktorëve gjeologjikë.
“Sot jam çliruar nga një makth i vërtetë, Tuneli i Murrizit, ku thashë ramë dhe s’kemi për të dalë më. Kur puna po ecte mirë e bukur, plasën ujërat, duke na shtyrë afatet e përfundimit pa afat. Sot mbaroi beteja e pafundme, që u bë si një kala që nuk dorëzohej. Stafi që merret edhe me këtë kronikë, më informoi që mezi ka gjetur disa komente negative. Faleminderit të gjithë atyre që nuk i kanë kursyer komentet pozitive”, tha kryeministri.
Tuneli i Murrizit pritet të shkurtojë në vetëm dy orë rrugën Tiranë – Dibër dhe anasjelltas.
Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në inaugurim së bashku me ministren e Energjetikës dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, të cilët u pritën me daulle, këngë e valle nga qytetarët vendas.