Tragjedia në Koçanë – varrosen viktimat! Qyteti i tronditur, rrugët e boshatisura!
Në Koçani sot mbizotronte atmosferë tronditëse. Të afërm, miq dhe qytetarë mbërritën në heshtje në varrezat e qytetit për të bërë nderimet e fundit për viktimat nga zjarri që heshti jo vetëm këtë qytet.
Në varrezat e qytetit ishin mijëra njerëz, por mbretëronte një heshtje tronditëse.
Ajo thyhej herë pas herë nga vajtimet e njerëzve të afërtë të viktimave. 31 nga 59 viktimat sot u përcollën për në banesën e fundit në qytetin e Kocanit.
Qyteti i Koçani ishte i boshatisur dhe asgjë nuk funksiononte.
MEVLUDIN IMERI – GAZETAR
“Shumica e rrugëve të Qytetit të Koçanit, qytet ky I prekur nga një tragjedi e madhe ishin kështu, të boshatisura sepse të gjitha rrugët çonin drejtë varrezave ku u varrosën mbi 30 persona të cilët humbën jetën në natën tragjike në diskotekën famkeqe. E ata pak qytetar që kishin mbetur në qendrën e qytetit kishin ardhur këtu për të ndezur qirinjë e për të përkujtuar viktimat e natës famkeqe.”
Një qytetarë i anketuar nga Klan Maqedoni thotë se tragjedia që ka kapluar qytetin është më e madhja ndonjëherë që ai ka përjetuar 76 vite sa jeton.
QYTETAR
“Unë jamë 76 vjeçar kam parë gjithçka, por ajo që kam parë tani nuk kam fjalë ta përshkruaj. Mëkat për prindërit të cilëve u ndërruan jetë fëmijët. Jo vetëm në RMV, por gjithandej njerëzit nuk duhet të shohin përkatësinë etnike dhe fetare të shihemi në fytyrë si njerëz pa dallim, qoftë musliman, qoftë i krishter apo çka do qoftë. Derisa nuk kemi respekt të ndërsjell mes vete nuk do të ketë qetësi.”
Ndryshe sot në të njejtën kohë në qytete të ndryshme është kryer varrimi i viktimave tjera nga tragjedia e së dielës.
Anëtarët e grupit DNK u varrosën në Shkup, ndërsa ceremoni varrimi kishte edhe në qytetin e Shtipit dhe në komunën Obleshevës.