Buxheti për arsimin e lartë: Tre universitetet shqipe marrin vetëm 19% të fondeve

Flaka
Botuar nga Flaka 23 Nëntor, 2025 15:51

Buxheti për arsimin e lartë: Tre universitetet shqipe marrin vetëm 19% të fondeve

Buxheti i propozuar për arsimin e lartë në vitin 2026 ngre shqetësime serioze për pabarazitë në financim midis universiteteve publike në vend. Të dhënat zyrtare tregojnë se pjesa më e madhe e fondeve shkon për Universitetin e Shkupit “Shën Kirili dhe Metodi”, ndërsa universitetet shqipe mbeten dukshëm të nënfinancuara, shkruan gazeta KOHA.

Universiteti “Kirili dhe Metodi” (UKIM) për vitin 2026 do të marrë 71 milionë euro, që përfaqëson 60% të të gjithë buxhetit të arsimit të lartë.
Ndërkohë, Universiteti i Tetovës (UT), Universiteti “Nënë Tereza” (UNT) dhe Universiteti i Evropës Juglindore (UEJL) së bashku marrin vetëm 19% të buxhetit total.

Situata është veçanërisht e rëndë për UNT-në, e cila për vitin 2026 ka të paraparë vetëm 4.8 milionë euro, apo 4% të buxhetit të arsimit të lartë. Kjo shifër përfaqëson një ulje prej 22% të buxhetit krahasuar me vitet paraprake.

Nga 40 milionët e premtuara për Kampusin e ri universitar në Shkup, për vitin 2026 UNT-së i janë ndarë vetëm 1 milion euro, shumë që ka shkaktuar reagime të forta brenda institucionit.

Nga Universiteti “Nënë Tereza” njoftojnë se janë ankuar zyrtarisht pranë Ministrisë së Arsimit dhe kanë marrë premtime për rikthimin e fondeve të shkurtuara. Sa i përket ndarjes prej 1 milion euro për Kampusin e ri, drejtuesit e UNT-së shpjegojnë se bëhet fjalë për vetëm fazën e parë të projektit, nga shtatë fazat që ka projekti.

Në një sqarim zyrtar, UNT thekson se Kampusi i ri universitar është projekt i madh shumëvjeçar, i cili do të realizohet në shtatë faza, të strukturuara sipas progresit të punimeve.

Sipas UNT-së, “Buxheti vjetor mbulon vetëm fazën e punimeve që zhvillohet gjatë atij viti dhe jo shumën e përgjithshme të parashikuar deri në përfundimin e projektit. Kemi marrë konfirmim zyrtar se fondet do të alokohen në disa faza, në përputhje me dinamikën e realizimit dhe me ndarjet buxhetore vjetore”.

Drejtuesit e universitetit theksojnë se ndërtimi i Kampusit të ri mbetet projekt strategjik për zhvillimin e UNT-së dhe për rritjen e cilësisë së arsimit në gjuhën shqipe në vend.

Shpërndarja e buxhetit për vitin 2026 hap sërish debatin për qasjen e institucioneve shtetërore ndaj universiteteve shqipe. Me vetëm 19% të fondeve totale, UT, UNT dhe UEJL mbeten dukshëm prapa universitetit më të madh të vendit, duke rrezikuar përkeqësim të pabarazive në arsimin e lartë.

Çështja pritet të jetë temë diskutimi në fillim të muajit të ardhshëm, kur duhet të miratohet Buxheti për vitin 2026. (koha.mk)

Flaka
Botuar nga Flaka 23 Nëntor, 2025 15:51
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Marrja e paautorizuar e teksteve dhe videove me të drejtë autoriale ose ndonjë përmbajtje të ngjashme pa pëlqimin paraprak me shkrim të Flaka Media do të konsiderohet shkelje e të drejtave autoriale dhe për këtë Flaka e ruan të drejtën të kërkojë kompensim përkatës monetar.Mosrespektimi dhe abuzimi i të drejtave autoriale dhe të drejtave simotër dënohet me ligj.Çdo marrje e paautorizuar, shfrytëzim, përdorim apo publikim i tekstit, fotografitë ose videot apo çfarëdo përmbajtje tjetër e ngjashme që paraqet pronësi të Flaka Media, pa pëlqim paraprak me shkrim nga redaksua, ndalohet rreptësisht dhe për të njëjtën paguhet kompensim përkatës financiar, për çka pronari ka të drejtë të nis procedurë përkatëse.Në rast të marrjes së teksteve autoriale dhe videove apo çfarëdo përmbajtje tjetër, në mënyrë të obligueshme nevojitet pëlqim paraprak nga Flaka Media dhe vendosje të linkut që do të çojë deri në web faqen e Flaka Media.