Azir Aliu nuk do të jetë më ministër i Shëndetësisë?
Bekim Sali propozohet për zv.kryeministër i parë dhe ministër për Eurointegrime, Muhamed Hoxha për ministër të Mjedisit Jetësor, Orhan Murtezani për ambasador në Bruksel, ndërsa Bashkim Bakiu për ministër të ri të Shëndetësisë, në vend të Azir Aliut, i cili pritet të emërohet drejtor i Agjencisë për Komunikime Elektronike.
Kjo është oferta e lëvizjes VLEN drejtuar kryeministrit Hristijan Mickoski për plotësimin e vendeve të lëna bosh në Qeveri pas zgjedhjeve lokale, pasi Izet Mexhiti u bë kryetar i komunës së Çairit, shkruan Sloboden Peçat.
Sipas gazetës, nëse kryeministri i konfirmon këto emra, pritet që deri në fund të javës propozimet për ministrat e rinj të procedohen në Kuvend.
Kryeministri Mickoski tha se të hënën do të dorëzohen emrat, pasi të merret vendimi përfundimtar.
Nga VLEN thonë se e sigurt është që Bekim Sali do të jetë zëvendëskryeministër, por i njëjti duhet të emërohet edhe ministër i ndonjë ministrie që me gjasa do të jetë ajo për integrime. Ministër i ambientit tashmë flitet se do të jetë Muhamet Hoxha, ndërsa pritet të vendoset edhe për Orhan Murtezanin. Gjithashtu mësohet se nëse Aliut i merret shëndetësia, VLEN po mendon atë ta emërojë drejtor në Agjencinë për Komunikime Elektronike.
“Ajo që e dimë është se Bekim Sali do të jetë zëvendëskryeministër, kjo është fikse sesi do të rregullohet kjo pra është problem dhe mendoj se është për t’u diskutuar sepse janë disa vende vakante në fakt që duhet plotësuar, është ministria e mjedisit, është vend vakant që duhet plotësuar, por këto janë bisedime që i bëjnë liderët pjesëmarrës në qeveri bashkë me kryeministrin Mickoski”, deklaroi Bekim Qoku, VLEN .















