Skandal në Karposh: Mostrat nga një shkollë tregojnë praninë e baktereve fekale
Instituti i Shëndetit Publik njoftoi se të enjten, inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, së bashku me zyrtarët e Institutit të Shëndetit Publik, kryen një inspektim të jashtëzakonshëm në nëntë shkolla fillore në komunën e Karposhit të Shkupit, ku morën mostra ushqimore dhe tampona nga sipërfaqet e punës në kuzhinat e shkollave.
Kontrolli u nxit nga rasti në shkollën fillore “Dimo Hadzi Dimov”, ku dhjetëra fëmijë pësuan probleme me stomakun javën e kaluar, dhe disa përfunduan në spital. Analizat e ISHP-së zbuluan baktere fekale në musakanë e ngrënë nga nxënësit e shkollës.
“Pas analizave të kryera në mostrat e testuara, nuk u zbuluan baktere patogjene, përveç në njërën nga shkollat, ku u zbulua prania e enterobaktereve në dy sipërfaqe, gjë që është një tregues i higjienës së pamjaftueshme”, tha ISHP-ja.
Instituti shton se “do të propozojë një iniciativë që do të nënkuptojë ndryshime shtesë në Programin Kombëtar Vjetor të Shëndetit Publik, rregullore të caktuara, ligje dhe akte nënligjore, të cilat synojnë një higjienë më të mirë në shkolla, kopshte, si dhe ushqim dhe ujë më të sigurt në to, gjë që do të nënkuptojë avancimin e temave që lidhen me shëndetin publik”.
Jo më larg se pesë ditë, po ashtu, bakteret nga grupi Enterobacteriaceae (baktere fekale) janë gjetur në një mostër të musakës që është shërbyer në turnin e parë në Shkollën Fillore “Dimo Haxhi Dimov” në lagjen Vllae në Shkup, si dhe janë gjetur në tre çezma në shkollë, njoftoi Instituti i Shëndetit Publik (ISP), në lidhje me rastin e helmimit e rreth 40 fëmijëve, transmeton Portalb.mk.
“Numri i mostrave të marra dhe materialeve të pranuara është i gjerë, dhe materialet për analizë ende po mbërrijnë,” thonë nga ISP.
Kujtojmë se në Sh.F. “Dimo Haxhi Dimov” në Vllae më 26 nëntor, një numër i madh nxënësish u ankuan për shqetësime në stomak. Institucionet kompetente njoftuan se nga kuzhina e shkollës fillore janë marrë mostra ushqimi, uji, si dhe mostra nga sipërfaqet dhe punonjësit, rezultatet e të cilave pritet të bëhen të ditura gjatë ditës së sotme.
“Ujësjellësi dhe Kanalizimi” Shkup më herët sot njoftoi se uji në “Dimo Haxhi Dimov” është i sigurt sanitarisht dhe mund të përdoret pa pengesa.
“Më 26.11.2025 ‘Ujësjellësi dhe Kanalizimi’ kreu një monitorim të jashtëzakonshëm bazuar në një ankesë nga Sh.F.Q. ‘Dimo Haxhi Dimov’, Komuna e Karposhit. Sektori për Kontroll Sanitar mori 4 mostra nga dy lokacione (klasë dhe kuzhinë), dy prej të cilave për analizë fiziko-kimike dhe dy për analizë mikrobiologjike.
Nga rezultatet e marra, të gjitha mostrat fiziko-kimike dhe mikrobiologjike i përgjigjen Rregullores për kërkesat e sigurisë dhe cilësisë së ujit të pijshëm (Gazeta Zyrtare e RM-së nr. 183/18), me ç’rast konstatojmë se uji është i sigurt sanitarisht dhe mund të përdoret pa pengesa,” thonë nga ndërmarrja publike.
Inspektorët nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) dje kryen kontrolle të jashtëzakonshme inspektuese në kuzhinat e 9 shkollave fillore në Komunën e Karposhit, të cilat menaxhohen nga i njëjti operator ushqimor në pronësi të të cilit është edhe magazina qendrore ku ndodhet Shkolla Fillore “Dimo Haxhi Dimov” dhe prej nga furnizohen materialet për përgatitjen e ushqimit.
Bëhet fjalë për operatorin ushqimor “Vanilla Food“. Gazeta Flaka














