Pendimi nuk e shpëton Mendi Qyrën: Pas reagimit të Mickoskit, Policia nis procedurë kundërvajtëse
Kryeministri Hristijan Mickoski reagoi ashpër ndaj kryetarit të Komunës së Strugës, Mendi Qyra, pasi gjatë festimeve të 28 Nëntorit në shëtitoren e Lumit Drin u vendosën vetëm flamuj shqiptarë, pa u shfaqur flamuri shtetëror, siç e kërkon Ligji për përdorimin e flamujve të komuniteteve.
Mickoski deklaroi se pas këtij lëshimi nuk pret që këshilltarët e VMRO-DPMNE-së të vazhdojnë mbështetjen ndaj Qyrës në këshillin komunal, duke e cilësuar mungesën e flamurit shtetëror si shkelje të qartë ligjore.
Pas kritikave të kryeministrit, sot Mendi Qyra kërkoi falje publike, duke theksuar se situata nuk do të përsëritet. Ai tha se bashkëpunimi me qeverinë dhe me këshilltarët e VMRO-DPMNE-së do të vazhdojë, ndërsa Struga është “projekt më i madh se një lëshim ceremonial”.
Megjithatë, pendimi i tij nuk mjaftoi. Policia e Strugës konfirmoi se ka dorëzuar kërkesë për fillimin e procedurës kundërvajtëse ndaj Komunës së Strugës dhe kryetarit të saj, për shkelje të nenit 6 dhe nenit 11 të Ligjit për përdorimin e flamujve të komuniteteve. Sipas policisë, organizatorët e manifestimit në rrugën “Marshall Tito” nuk e kanë vendosur flamurin shtetëror gjatë ceremonisë së Ditës së Flamurit Shqiptar.
Nëse procedura zyrtarisht ngrihet, Komuna e Strugës rrezikon gjobë prej 30 mijë deri në 200 mijë denarë, ndërsa Mendi Qyra mund të dënohet personalisht me 10 mijë deri në 30 mijë denarë.
Rasti ka tensionuar raportet politike midis VMRO-DPMNE-së dhe kryetarëve të VLEN-it, të cilët në disa komuna – përfshirë Strugën – kanë fituar me mbështetjen e votuesve të VMRO-së. Përplasja e fundit shihet si sinjal i qartë presioni politik ndaj partnerëve lokalë. Gazeta Flaka














