Po vjen periudha e helmimit të ajrit në Shkup!
Në muajt që vijnë, qyteti sërish do ta përjetojë të vërtetën që e përsërisim prej vitesh: ndotja e ajrit nuk është vetëm çështje cilësie të ajrit, por çështje e shëndetit publik, e politikave dhe e së ardhmes së brezave që rriten në këtë smog.
Në tre muajt në vijim, qyteti do të jetojë nën një kupolë të ftohtit, mjegullës dhe tymit – një kombinim që çdo dimër e shndërron luginën në një nga zonat urbane më të ndotura në Evropë. Temperaturat bien, sobat ndizen, ndërsa era sikur “firmos marrëveshje” të mos paraqitet fare.
Në këtë periudhë, Shkupi e humb aleatin e vetëm natyror: qarkullimin e ajrit. Kur shtresa e ftohtë ulet mbi qytet, ndotja nuk shpërndahet, por mbetet me ne. Në mushkëri. Në shtëpi. Në shkolla. Në shëtitjet e hershme të mëngjesit.
90 ditët e ardhshme janë kritike, jo sepse janë më të ftohta, por sepse e zbulojnë problemin më të madh sistemik të qytetit: çdo dimër e përjetojmë të njëjtin problem, por reagojmë sikur ndodh për herë të parë.
Kjo është periudha kur numrat do të lëvizin rreth vijave të kuqe: PM10, PM2.5, pika të zeza në harta, aplikacione që japin alarme dhe “masa të përkohshme” që kurrë nuk shndërrohen në zgjidhje të qëndrueshme.
Fëmijët janë viktimat më të prekshme të ajrit të ndotur
Sipas një hulumtimi të ri të UNICEF-it për Evropën dhe Azinë Qendrore, në Maqedoninë e Veriut ndotja e ajrit lidhet drejtpërdrejt me një në nëntë vdekje tek fëmijët deri në një vjeç. Foshnjat dhe fëmijët e vegjël janë më të rrezikuar sepse organet e tyre ende zhvillohen dhe grimcat PM10 dhe PM2.5 depërtojnë më lehtë në rrugët e tyre të frymëmarrjes.
Raporti “Fillime pa frymë” paralajmëron se ekspozimi i hershëm dhe i shpeshtë ndaj ajrit të ndotur — madje që nga shtatzënia — shkakton zvogëlim dhe ndryshime strukturore në mushkëri, rrit rrezikun e pneumonisë, astmës, infeksioneve dhe deri te problemet në zhvillimin kognitiv dhe suksesin shkollor. Për më tepër, ndotja e ajrit është faktor mjedisor që heq më shumë vite të shëndetshme jete sesa temperaturat e larta, uji i ndotur apo kushtet e këqija sanitare.
UNICEF u bën thirrje shteteve të rajonit, përfshirë Maqedoninë e Veriut, të investojnë në energji të pastër, efikasitet energjetik dhe masa sistemike që mbrojnë gratë shtatzëna dhe fëmijët – grupet më të ndjeshme në shoqëri.
Nga çfarë dhe sa ndotet Shkupi?
Koncentrimet mesatare vjetore të PM2.5 në Shkup janë 40–50 μg/m³, disa herë mbi rekomandimet për mbrojtjen e shëndetit. Studimet tregojnë se dy të tretat e PM10 janë në fakt grimca PM2.5 – pjesa më e rrezikshme që depërton thellë në mushkëri.
Ndotja është kronike, jo episodike: Shkupi e tejkalon kufirin e lejuar të PM10 dhe PM2.5 më shumë se 100 ditë në vit, ndërsa në vitin 2024 qyteti sërish u rendit ndër 10 qytetet më të ndotura në botë.
Burimet kryesore të ndotjes:
ngrohja individuale me dru dhe lëndë djegëse të cilësisë së dobët
trafiku dhe automjetet e vjetra
kapacitetet industriale
pluhuri urban
mungesa e qarkullimit të ajrit për shkak të pozicionit të luginës
PM2.5 dhe PM10 lidhen drejtpërdrejt me rrezik të shtuar për sëmundje të frymëmarrjes, astmë, bronkit, infeksione tek fëmijët, sëmundje kardiovaskulare dhe vdekje të parakohshme.
Tek fëmijët rreziku është më i madh: ata kanë sisteme të papjekura të frymëmarrjes, marrin frymë më shpejt dhe thithin më shumë ajër për kilogram peshë trupore, ndërsa grimcat depërtojnë më lehtë e shkaktojnë dëme afatgjata. Tek foshnjat, siç thekson UNICEF-i, ajri i ndotur ndikon edhe në mbijetesë, rritje, zhvillimin e trurit dhe suksesin arsimor.
Dimri nuk është fajtori – ai vetëm i bën të dukshme mangësitë sistemike që injorohen prej dekadash.
Ndotja nuk është rastësi, as mot i keq, por rezultat i politikave joefikase, energjisë së vjetruar dhe mungesës së kujdesit për grupet më të prekshme. Nëse çdo vit e fillojmë sezonin e smogut me të njëjtat alarme dhe e përfundojmë me të njëjtin harresë, atëherë ne vetë e zgjatim këtë mjegull.
Zgjidhje ka: energji e pastër, sisteme efikase ngrohjeje, transport publik, gjelbërim urban, rregullim i emetimeve – por ato duhet të bëhen prioritet urgjent, jo temë sezonale.
Ndotja zgjat vetëm tre muaj. Pasojat e saj zgjasin gjithë jetën.














