Mes skepticizmit dhe shpresës: Çfarë mendojnë qytetarët e Maqedonisë për Bashkimin Evropian?

Flaka
Botuar nga Flaka 9 Dhjetor, 2025 08:48

Mes skepticizmit dhe shpresës: Çfarë mendojnë qytetarët e Maqedonisë për Bashkimin Evropian?

Anketa e fundit e porositur nga Fondacioni Metamorfozis zbuloi një realitet kompleks dhe kontradiktor rreth qëndrimeve të qytetarëve të Maqedonisë ndaj Bashkimit Evropian. Shumica vazhdon të mbështesë perspektivën evropiane, por perceptimet për padrejtësi, presion dhe pasiguri ekonomike janë të theksuara. Në këtë atmosferë të ndarë, njohësit e procesit eurointegrues apelojnë për racionalitet, dialog dhe një “mes të artë” që mund ta nxjerrë vendin nga bllokadat politike dhe shoqërore, shkruan Portalb.mk. 

Sipas të dhënave të sondazhit, 40% e qytetarëve besojnë se BE-ja mund të rrezikojë vlerat tradicionale, ndërsa 51% kundërshtojnë ndryshimin e shpejtë të Kushtetutës për hir të anëtarësimit, një shenjë e qartë e ndjeshmërisë ndaj çështjeve të identitetit dhe sovranitetit. 

Për më tepër, perceptimi për pengesa në rrugën drejt BE-së është i thellë: 

  • 82% mendojnë se procesi i anëtarësimit është i ngadalshëm; 
  • 69% besojnë se BE-ja vendos kushte të padrejta; 
  • 68% thonë se ekzistojnë standarde të dyfishta; 
  • 67% frikësohen se anëtarësimi do të ketë kosto ekonomike për vendi

Këto shifra tregojnë se qytetarët e shohin Bashkimin Evropian si një destinacion të domosdoshëm, por të vështirë dhe emocionalisht të ngarkuar. 

Gazetarja Katarina Sinadinovska, duke komentuar klimën e përgjithshme pro dhe kundër BE-së, në emisonin Rishtazi në KOHA, thekson se debati publik është i kapur nga polarizimi: 

“Te ne ka dy ekstreme: ata që janë eurofundamentalistë, dhe ata që thonë se BE nuk na do. Zgjidhja është diku në mes, mesi i artë.” 

Sipas saj, mbështetja për BE-në është ende shumicë, por debati është deformuar nga narrativat e frikës dhe zhgënjimit. Ajo thekson edhe rëndësinë e vendimeve pragmatike: 

“Nëse je kryeministër i një vendi kaq të vogël, kapitali yt politik është të fillosh negociatat dhe ta anëtarësosh vendin.” 

Në analizën e saj, Sinadinovska vëren se BE-ja po e rishikon qasjen e vet ndaj zgjerimit për arsye që lidhen më shumë me sigurinë dhe krizën globale sesa me meritën e vendeve kandidate. 

“Europa është zgjuar sepse zgjerimi është i domosdoshëm për të gjitha arsyet e gabuara… por është zgjuar. Ekziston një moment i vetëdijësimit, sidomos te vendet që dikur ishin skeptike.” 

Ajo përmend si shembuj Danimarkën, Holandën dhe Suedinë, vende ku tani ekziston vullnet më i madh për të mbështetur zgjerimin. 

Për Sinadinovskën, pengesa më e madhe nuk është BE-ja, por paaftësia e brendshme për të arritur marrëveshje politike dhe shoqërore: 

“Ne nuk dimë si të ulemi për të kuptuar njëri-tjetrin… Duhet të gjejmë gjuhë të përbashkët. Ne nuk jemi armiq.” 

Ajo apelon për marrëveshje ndërpartiake, ndëretnike dhe ndërshoqërore, duke theksuar se pa unitet dhe qëndrueshmëri të brendshme, rruga evropiane do të mbetet e bllokuar pavarësisht ndryshimeve në vetë BE-në. 

Kujtojmë se, pas ardhjes në pushtet të VMRO-DPMNE-së me në krye Hristijan Mickoskin, janë definuar qartë “vijat e kuqe” në raport me ndryshimet kushtetuese, si kusht për çbllokimin e rrugës drejt BE-së.

“Qëndrimi ynë është shumë i qartë, vijat e kuqe janë të njohura, ne i kemi përshkruar ato vija të kuqe shumë herë më parë. Jemi të gatshëm të ulemi dhe të bisedojmë, por nuk do të ishte korrekte që askush të presë që kjo Qeveri, deri sa unë jam Kryeministër, papritmas do të thotë se ajo që kemi thënë deri më tani nuk vlen, tani do të ulemi dhe do të bëjmë ndryshime kushtetuese. Të paktën deri sa unë jam kryeministër. Nëse vjen dikush tjetër, le të shtyjë për një politikë të ndryshme”, deklaroi Mickoski.

Sipas Mickoskit, deri sa ai është kryeministër, “tradhti dhe kapitullime të tilla nuk do të ndodhin”. Kryeministri Mickoski ka thënë disa herë se qeveria e tij nuk do të lejojë ndryshime kushtetuese pa angazhime specifike nga fqinji i saj lindor dhe garanci të qarta nga Bashkimi Evropian, duke vënë në dukje se ai gjithashtu pret respekt të vazhdueshëm për të drejtën ndërkombëtare si një parakusht për përparim.

RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. “Vendi nuk ka ndërmarrë hapa vendimtare për të përparuar në negociata brenda këtij viti, Duhet të miratojë ndryshimet e nevojshme kushtetuese për të ecur përpara në rrugën e saj eurointegruese” tha Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos gjatë prezantimit të Paketës së Zgjerimit të vitit 2025 të Bashkimit Evropian.

Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime. Në fund të muajit tetor, presidentja Gordana Siljanovska – Davkova deklaroi se marrëveshja me Bullgarinë nuk përmban nen për ndryshimin e Kushtetutës.

Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet. 

Flaka
Botuar nga Flaka 9 Dhjetor, 2025 08:48
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Marrja e paautorizuar e teksteve dhe videove me të drejtë autoriale ose ndonjë përmbajtje të ngjashme pa pëlqimin paraprak me shkrim të Flaka Media do të konsiderohet shkelje e të drejtave autoriale dhe për këtë Flaka e ruan të drejtën të kërkojë kompensim përkatës monetar.Mosrespektimi dhe abuzimi i të drejtave autoriale dhe të drejtave simotër dënohet me ligj.Çdo marrje e paautorizuar, shfrytëzim, përdorim apo publikim i tekstit, fotografitë ose videot apo çfarëdo përmbajtje tjetër e ngjashme që paraqet pronësi të Flaka Media, pa pëlqim paraprak me shkrim nga redaksua, ndalohet rreptësisht dhe për të njëjtën paguhet kompensim përkatës financiar, për çka pronari ka të drejtë të nis procedurë përkatëse.Në rast të marrjes së teksteve autoriale dhe videove apo çfarëdo përmbajtje tjetër, në mënyrë të obligueshme nevojitet pëlqim paraprak nga Flaka Media dhe vendosje të linkut që do të çojë deri në web faqen e Flaka Media.