Mesazh kundër dhunës: Monumenti “Gostivari” ndriçohet portokalli nga qendra “Etika”
Në kuadër të fushatës globale “16 Ditë aktivizëm kundër dhunës me bazë gjinore”, Qendra për të Drejtat e Grave “Etika” ka ndërmarrë një aksion simbolik në qytetin e Gostivarit, duke ngjyrosur monumentin “Gostivari” me ngjyrë portokalli – ngjyra ndërkombëtare e fushatës për ndërgjegjësim dhe kundërshtim ndaj dhunës ndaj grave dhe vajzave.
Nga organizata “Etika” theksojnë se ky gjest simbolik ka për qëllim të dërgojë mesazhin e unitetit dhe forcës kundër çdo forme të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore.
“Në kuadër të fushatës globale 16 Ditë Aktivizëm Kundër Dhunës në familje dhe dhunë në bazë gjinore, edhe Gostivari i bashkohet thirrjes botërore për ndryshim,” thuhet në reagimin e organizatës.
Ato shtojnë se ngjyrosja e monumentit është një thirrje për solidaritet dhe angazhim shoqëror:
“Sot, duke ngjyrosur monumentin ‘Gostivari’ në portokalli, ne ngjyrosim simbolikisht edhe botën me shpresë, solidaritet dhe guxim. Le të kontribuojmë së bashku në eliminimin e dhunës në familje dhe dhunës në bazë gjinore.”
Aksioni vjen në një periudhë kur statistikat për dhunën ndaj grave në vend vazhdojnë të jenë alarmante, ndërsa organizatat e grave kërkojnë angazhim më të madh institucional, shoqëror dhe komunitar për të parandaluar këtë fenomen. Gazeta Flaka














