Temperaturat arrijnë deri në 16°C, vijon moti stabil në gjithë vendin
Temperatura më e ulët prej -4 gradë është regjistruar sot në mëngjes në Berovë dhe Manastir, -2 në Tetovë dhe Strumicë, -1 në Shkup, Prilep, Demir Kapi dhe Gjevgjeli, ndërsa temperatura më e lartë prej +4 gradësh është shënuar në Gjurishtë, njofton Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike (DPHM).
Sot moti pritet të jetë me diell dhe relativisht i ngrohtë, me vranësira të pakta deri mesatare lokale. Në orët e mëngjesit vende-vende do të ketë shtim të vranësirave, të cilat do të pakësohen gjatë ditës. Do të fryjë erë e lehtë nga drejtimi veriperëndimor.
Temperatura maksimale do të jetë në intervalin prej 11 deri në 16 gradë.
Në Shkup, paradite në disa pjesë të fushëgropës do të ketë kushte për mjegull të dobët. Gjatë ditës, moti do të jetë me diell, me vranësira të pakta deri mesatare dhe kryesisht i qetë. Temperatura maksimale do të arrijë deri në 13 gradë.
Sipas njoftimit të DPHM-së, vazhdon një periudhë e motit stabil dhe relativisht të ngrohtë për këtë periudhë të vitit. Në orët e mëngjesit vende-vende do të ketë shtim vranësirash, të cilat do të pakësohen gjatë ditës.
















