U miratua buxheti për vitin 2026, peshon 6,7 miliardë euro
Në ditën e dytë të debatit deputetët e miratuan buxhetin për vitin 2026 që peshon 6,7 miliardë euro. Votuan gjithsej 85 deputetë, 71 ishin “për” dhe 14 kundër. Debati kaloi me akuza të ashpra të ndërsjella mes pushtetit dhe opozitës. Për opozitën buxheti nuk është zhvillimor, as social dhe është parazgjedhor dhe nuk ka lidhje me realitetin. Për pushtetin, megjithatë, buxheti është zhvillimor dhe evropian dhe sjell cikël të fortë investues dhe standard më të mirë jetese për qytetarët.
“Tani kemi disiplinë fiskale, në vend të financave publike të shpërbëra. Ky buxhet është i konsoliduar, e jo i fryrë. Ky buxhet është evropian, e jo i rrugës. Ky buxhet ka disiplinë financiare. Futim e-faturë, digjitalizim të DAP-it dhe Doganës, taksë minimale globale, reforma sistemore. Të rikujtojmë, LSDM la kaos, obligime të papaguara, vrima buxhetore, borxhe të pa llogaritura dhe efikasitet të reduktuar në populizëm dhe administratë partiake”, tha Jovan Jauleski, deputet i VMRO-DPMNE.
“Jetojmë në dimensione të ndryshme. Kur flisni për këtë ekonominë e tretë – lexoni, Zvicra është e 42-ta, Gjermania e 47-ta – dhe të fillojmë t’i vajtojmë zviceranët dhe gjermanët si jetojnë. Sepse ne këtu, jo t’i sjellim këtu në shtetin tonë, për mëshirë si jetojnë ata, le të vijnë në Maqedoni. Ja kjo është dimensioni i ndryshëm. Unë flas për atë që është numër dhe realitet në buxhet. Ky nivel i investimeve, kjo strukturë, është fyerje për vetë fjalën “kapitale””, shtoi Jovan Mitreski, deputet i LSDM.
Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe, gjatë diskutimit për projektbuxhetin e vitit të ardhshëm në seancen parlamentare, ka shprehur shqetësimin e tij për mënyrën se si Qeveria planifikon t’i menaxhojë mjetet publike.
Snopçe u shpreh se dokumenti më i rëndësishëm financiar i shtetit “nuk premton as progres, madje as ruajtje të status quo-së, por bart rrezik real për regres”. Ai vuri në dukje se projektbuxheti, pa hyrë në detaje dhe parametra konkretë, nuk ofron zhvillim të mirëfilltë ekonomik dhe nuk garanton përmirësim të jetesës së qytetarëve.
“Ky është dokumenti kryesor i një shteti, dhe nga mënyra se si planifikohen shpenzimet publike varet drejtpërdrejt e ardhmja ekonomike e qytetarëve. Për fat të keq, ky projektbuxhet nuk sjell optimizëm. Shpresoj sinqerisht të demantohem, dhe kush ka të drejtë, do të shihet së shpejti”, deklaroi Snopçe.
Deputeti i ASH-së theksoi se qytetarët meritojnë politika fiskale të përgjegjshme dhe një qasje të orientuar drejt zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.
Në buxhetin për vitin e ardhshëm të ardhurat totale janë projektuar në 6,1 miliardë euro, kurse shpenzimet në 6,7 miliardë euro. Deficiti buxhetor është planifikuar në 638 milionë euro ose 3,5% të BPV-së së planifikuar. Për investime kapitale janë projektuar 658 milionë euro. Pritet rritje e BPV-së prej 3,8%, inflacion prej 2,5%.
















