AKI: VLEN riciklon figurat e vjetra politike, VLEN: Bejta, kandidati ynë për një Gostivar më të fortë
Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Koalicionit VLEN për të kandiduar Nevzat Bejtën për kryetar të Komunës së Gostivarit në zgjedhjet e 11 janarit. Sipas AKI-së, koalicioni që promovon veten si alternativë reformuese po vazhdon të mbështetet te figurat e vjetra politike.
“Deklaratat e VLEN-it për ‘ndryshim’, ‘reformë’ dhe ‘gjenerata të reja’ shpërbëhen sapo sheh listën e personazheve që sot fshihen pas logos së tyre,” thuhet në reagimin e AKI-së, ku përmenden emra si Izet Mexhiti, Ramiz Merko, Saranda Imeri-Stafaj, Bashkim Hasani dhe tashmë edhe Nevzat Bejta.
Sipas AKI-së, “paketa e plotë e klasës së vjetër politike” është rikthyer nën petkun e VLEN-it.
“Mungonte vetëm Nevzat Bejta që të kompletohej ‘kabineti i riciklimeve’. Ai, pas humbjeve të njëpasnjëshme në Gostivar, rikthehet sërish në garë për herë të gjashtë. Aty ku mungojnë idetë, ringjallen figurat e vjetra,” thekson reagimi.
AKI e quan VLEN-in “projekt të Mickoskit”, i cili sipas tyre është “dizajnuar për të sistemuar njerëz të dëgjueshëm, të kapur dhe të varur nga strukturat që e kanë ngujuar shtetin për tri dekada”.
“VLEN nuk është projekt i ndryshimit. Është rikthim i së kaluarës, e cila i ka lodhur shqiptarët e Maqedonisë së Veriut,” përfundon deklarata e AKI-së.
Në fund, ata shtojnë me ironi se “përgëzojnë VLEN-in që më në fund e gjeti kandidatin që pranon të futet në garë – dhe që për herë të gjashtë konkuron për kryetar komune”.
Reagimi i VLEN-it: “Nevzat Bejta është kandidatura më e besuar e qytetarëve”
Në anën tjetër, Koalicioni VLEN ka njoftuar zyrtarisht se kandidati i tyre për Komunën e Gostivarit do të jetë Nevzat Bejta, pas – siç thonë ata – një procesi të brendshëm konsultimesh dhe matjesh të opinionit publik.
“Vendimi vjen pas anketave dhe takimeve me qytetarët e Gostivarit, ku Bejta ka rezultuar bindshëm si zgjedhja më e besuar dhe më e preferuar,” thuhet në komunikatën e VLEN-it.
Sipas koalicionit, qytetarët “kanë vlerësuar përvojën e tij, projektet e realizuara dhe ndikimin pozitiv që ka pasur gjatë mandateve të mëhershme në krye të komunës”.
VLEN thekson se Bejta përfaqëson “stabilitet, profesionalizëm dhe vizion për vazhdimin e zhvillimit të Gostivarit”, duke e cilësuar kandidaturën e tij si “alternativë të fortë dhe të dëshmuar me punë konkrete”.
















