Beteja ligjore për tragjedinë e Koçanit vazhdon sot
Më fjalët hyrëse të mbrojtjes sot në gjykatën në Idrizovë duhet të vazhdojë gjykimi për zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan, ku humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 të tjerë u lënduan.
Seanca e sotme vazhdon me fjalën hyrëse të mbrojtjes së të akuzuarit të 26-të, Shefket Haziri nga Ministria e Ekonomisë, pasi në seancën e djeshme mbrojtja e të akuzuarve, ish ministrave të ekonomisë dhe drejtorë të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH), mohuan fajësinë dhe kontestuan aktakuzën, duke pretenduar se nuk kanë pasur as autoritet ligjor dhe as fuqi faktike për të ndikuar në epilogun tragjik të zjarrit të shkaktuar nga piroteknika e papërshtatshme për një hapësirë të mbyllur dhe në kundërshtim me ligjin për piroteknikën.
Rasti në të cilën humbën jetën 63 persona dhe mbi 200 u lënduan, po zhvillohet nën masa të shtuara sigurie me praninë e të akuzuarve, të afërmeve të viktimave dhe gazetarë.
Në seancën e djeshme, mbrojtja e ish ministrit të Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, në fjalën e tij hyrëse, tha se nuk ka lidhje shkakore në veprimet e të pandehurit Bekteshi, në kundërshtim me detyrimet ligjore sipas të cilave ai është i detyruar të veprojë, as Ministria që ai drejtoi nuk ka juridiksion mbi mbikëqyrjen inspektuese, ndërsa akti i kryerjes së zjarrit është zjarri i shkaktuar nga piroteknika të papërshtatshme për një dhomë të mbyllur dhe të përdorura në kundërshtim me ligjin për piroteknikën, pa miratimin e detyrueshëm nga Ministria e Brendshme për përdorim në një hapësirë të mbyllur.
Mbrojtja e ish drejtorit të DMSH-së, Adnan Xhaferovski tha se procedura bazohet në “një listë të dhënash të shndërruar në aktakuzë” dhe se “asnjë lëshim sistemik nuk krijon përgjegjësi penale individuale”. Xhaferovski personalisht tha se “ndërgjegjja e tij është absolutisht e pastër” dhe se beson në “ndershmërinë e drejtësisë dhe drejtësinë e gjykatës”.
Ish drejtori i DMSH-së Shaban Saliu, në fjalën e tij hyrëse, pohon se në periudhën nga viti 2012 deri në vitin 2017, në DMSH nuk ka marrë kurrë asnjë dokument që kërkonte pëlqim ose mendime nga kabareja “Puls”, as ndonjë kërkesë ose raport nga persona juridikë ose fizikë në lidhje me objektin.
Prokuroria, e përfaqësuar nga një ekip prej 15 prokurorësh publikë, njoftoi se provat do të tregonin se klubi “Puls” ishte një kurth vdekjeprurës që nga fillimi, rezultat i neglizhencës sistematike dhe dështimeve institucionale.
Në bankën e të akuzuarve janë 37 persona – pronarë, menaxherë, inspektorë, ish kryetarë komunash, roje sigurie dhe nëpunës shtetëror.
















