Ndalet importi i mishit të pulës nga Brazili për arsye sigurie
Agjencia për Ushqim dhe Veterinari (AUV) njofton se në vendkalimin kufitar Qafë Thanë, inspektorët e saj kanë ndaluar importin e mbi 26 tonë mish pule të ngrirë pa kockë, me origjinë nga Brazili.
Sipas njoftimit zyrtar, ndalimi është vendosur për shkak të mosplotësimit të kushteve për import. Bëhet fjalë për një dërgesë me gjithsej 2.167 paketime, secila me nga 12 kilogramë mish pule të ngrirë. Pas nxjerrjes së Vendimit për ndalim importi nga veterinerët zyrtarë të AUV-së, dërgesa është kthyer në vendin eksportues – Brazil.
Nga AUV sqarojnë se ndalimi i importit është në përputhje me vendimin ekzistues për ndalim të importit të kafshëve të gjalla, produkteve dhe nënprodukteve me origjinë shtazore nga Brazili, me qëllim parandalimin e futjes në vend të virusit të gripit aviar me patogjenitet të lartë (gripi i shpendëve).
“Sipas këtij vendimi, ndalohet importi i dërgesave që rrjedhin nga kafshë të therura, të ngarkuara dhe të certifikuara para datës 1 gusht 2025”, thuhet në komunikatën e Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari.
AUV thekson se kontrollet kufitare do të vazhdojnë me intensitet të shtuar, me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit publik. Gazeta Flaka


















