Bejta: Synoj rikthimin e shkëlqimit në Gostivar
Kandidati i koalicionit VLEN për kryetar të Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta, ka mohuar çdo pretendim për hakmarrje politike ndaj liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, duke theksuar se rikthimi i tij në garën lokale ka vetëm një qëllim – interesin e qytetarëve të Gostivarit.
Në emisionin “Debat në SHENJA”, Bejta u shpreh se nuk ka asnjë konflikt personal me Ahmetin dhe se kandidatura e tij nuk lidhet me përplasje politike.
“Pse të flitet për hakmarrje ndaj z. Ali Ahmeti? Unë asnjëherë nuk kam bërë hakmarrje ndaj askujt. Si mund t’i hakmerrem dikujt që ka qenë kryetari im? Unë jam kthyer për të mirën e qytetarëve të Gostivarit,” deklaroi Bejta.
Ai akuzoi udhëheqjen aktuale të komunës për shkatërrim dhe keqmenaxhim, duke përmendur si përgjegjës Arben Taravarin dhe pasuesen e tij, Valbon Limani.
“Jam kthyer për të ndalur shkatërrimin e qytetit nga Arben Taravari, që është vazhduar nga Valbon Limani. Nuk kam asnjë hatërmbetje ndaj zotit Ahmeti. Uji i Vardarit nuk kthehet prapë; as unë nuk kthehem pas,” theksoi ai, duke shtuar se kërkon mbështetjen edhe të votuesve të BDI-së “për të mirën e qytetit të Gostivarit”.
Në një intervistë për televizionin Alsat, Bejta konfirmoi rikthimin e tij në politikën lokale, duke nënvizuar se fokusi i tij nuk është politika, por puna konkrete dhe menaxhimi i përgjegjshëm i komunës.
“Vendimi për rikthim lidhet me projektet dhe punët e realizuara gjatë dy mandateve të mia,” tha Bejta, duke përmendur ndërtimin e urës mbi lumin Vardar, rrugën Simnicë–Novosellë, hapjen e rrugës “18 Nëntori” dhe rrugën lidhëse Vrapçisht–Çegran.
Ai shtoi se pas fitores më 11 janar, Gostivarin e presin projekte të reja madhore.
Duke folur për garën zgjedhore, Bejta tha se përballja reale është mes tij dhe kryetarit aktual Arben Taravari, të cilin e akuzoi për keqmenaxhim financiar.
“Në komunë janë shpenzuar mbi 30 milionë euro pa rezultate të dukshme, ndërsa borxhet janë rritur,” deklaroi Bejta, duke paralajmëruar se në rast fitoreje do të nisë një revizion të plotë financiar.
“Revizioni është i pashmangshëm.”
Ai theksoi se synimi i tij është rikthimi i shkëlqimit në sektorë kyç të jetës komunale.
“Po rikthehem në komunë jo për politikë, por për të punuar me ndershmëri dhe dinjitet. Synimi im është arsimi, kultura, sporti dhe investimet madhore,” tha Bejta.
Në të njëjtin emision, Bejta deklaroi se kandidatura e tij gëzon mbështetje të plotë dhe unanime nga të gjithë liderët e koalicionit VLEN, duke mohuar zërat për përçarje të brendshme.
“Nuk ka asnjë konflikt. Të gjithë liderët e VLEN-it kanë qenë unikë në përkrahjen e kandidaturës sime për kryetar të Komunës së Gostivarit,” u shpreh ai.
“Kërkoj votën e partive që e përbëjnë VLEN-in, por edhe të gjitha partive të tjera që veprojnë në komunën e Gostivarit.”


















