Remitancat në rënie për Maqedoninë: Mërgimtarët dërguan 310 milionë euro, vetëm 2% e PBB-së
Mërgimtarët nga Maqedonia e Veriut gjatë vitit të kaluar kanë dërguar gjithsej 310 milionë euro remitanca, që përbëjnë rreth 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Edhe pse bilanci i transfertave personale mbetet suficitar, të dhënat tregojnë se në shifra absolute remitancat kanë shënuar rënie krahasuar me vitet paraprake – 319 milionë euro në vitin 2023 dhe 331 milionë euro në vitin 2022.
Në krahasim me vendet e rajonit, diaspora e Serbisë kryeson për nga vlera e remitancave, duke dërguar 4,47 miliardë euro gjatë vitit të kaluar. Pas saj renditen Bosnja dhe Hercegovina me 1,99 miliardë euro, Kosova me 1,32 miliardë, Shqipëria me 1,28 miliardë euro, ndërsa Mali i Zi me 345 milionë euro.
Të dhënat e Eurostat tregojnë se në vitin 2024, nëntë vende të Bashkimit Evropian kanë regjistruar suficit në transfertat personale. Ndër to janë Kroacia, me 2,6% të PBB-së, Bullgaria me 1,3% dhe Portugalia me 1,2%. Në anën tjetër, Malta (-2,8%), Qiproja (-0,9%), Belgjika (-0,6%), si dhe Greqia, Spanja dhe Franca (secila me -0,5%) kanë shënuar deficite më të theksuara të transfertave personale si pjesë e PBB-së së tyre.
Sa i përket flukseve totale, transferet personale të parave të dërguara nga banorët e BE-së drejt personave që nuk janë banorë të BE-së kanë arritur 52,1 miliardë euro në vitin e kaluar, që paraqet rritje prej 6% krahasuar me vitin 2023, kur kjo shifër ishte 49,2 miliardë euro. Ndërkohë, fluksi i transfertave personale drejt amvisërive të banorëve të BE-së ka arritur 14,8 miliardë euro, ose 7% më shumë se një vit më parë.
Në pesë vitet e fundit është shënuar një rritje e ndjeshme e fluksit të transfertave personale në BE, me rritje prej 51%, ndërsa qarkullimi është rritur më ngadalë, për rreth 26%. Si pasojë, bilanci negativ i BE-së në raport me vendet jashtë unionit është zgjeruar, duke arritur në 37,3 miliardë euro në vitin 2024.


















