Valbon Limani pranon mandatin: “Besimi i qytetarëve është obligim moral për katër vitet e ardhshme”
Kryetari i sapozgjedhur i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, ka pranuar sot edhe zyrtarisht mandatin nga Komisioni Komunal i Zgjedhjeve (KKZ), duke e cilësuar këtë moment si solemn dhe me përgjegjësi të madhe ndaj qytetarëve që i dhanë besimin në zgjedhjet e 11 janarit.
Gjatë aktit zyrtar në ambientet e KKZ-së, Limani theksoi se besimi i dhënë nga qytetarët e Gostivarit përbën një obligim moral, të cilin do ta mbajë mbi supe gjatë gjithë mandatit katërvjeçar.
“Të nderuar qytetarë të Gostivarit, sot edhe zyrtarisht pranova mandatin që ma besuat në zgjedhjet e 11 janarit,” u shpreh Limani, duke shtuar se ky besim do të jetë udhërrëfyes në punën e tij si kryetar komune.
Në fjalimin e mbajtur me këtë rast, Limani u ndal edhe te fushata zgjedhore, të cilën e cilësoi si të veçantë dhe sfiduese. “Fushata jonë ishte ndryshe, ishte më e gjatë, më sfiduese, andaj edhe fitorja ishte më e madhe dhe jehona e saj ishte aq e fortë, sa që e shndërroi fitoren e Gostivarit në një simbol të fuqisë së një populli,” deklaroi ai.
Ai rikujtoi edhe sloganin e fushatës, duke theksuar lidhjen emocionale me qytetin. “Emri i kësaj fushate ishte i njëjtë si slogani i saj: me Gostivarin në zemër,” tha Limani, duke shtuar se në zemër të kësaj angazhimi janë fëmijët, rinia dhe familjet e qytetit.
“Në Gostivarin e zemrës time janë fëmijët e mrekullueshëm që na mbushin shtëpitë, lagjet e shkollat plot. Në Gostivarin e zemrës time është rinia që ka nevojë për ndihmën tonë,” u shpreh ai, duke përmendur gjithashtu gjyshërit, prindërit, motrat dhe vëllezërit “që e bëjnë çdo pëllëmbë të këtij qyteti, nga fshati më i largët e deri në qendër, tokën më të dashur në botë.”
Në fund të fjalimit, Limani u zotua për punë të ndershme dhe përkushtim maksimal. “Zotohem para Zotit dhe para jush, se do të punoj me nder, përkushtim e frymëzim për secilin nga ju, e padyshim që do të punoj me Gostivarin në zemër,” përfundoi Kryetari i Komunës së Gostivarit.
















