Ali Ahmeti përkujton 4-vjetorin e ndarjes nga jeta të Rafi Halilit
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka përkujtuar sot 4-vjetorin e ndarjes nga jeta të revolucionarit Rafi Halili, duke e cilësuar atë si “një personalitet të rëndësishëm të organizimit politik dhe kombëtar të shqiptarëve”.
“Sot përkujtoj 4-vjetorin e ndarjes nga jeta të revolucionarit Rafi Halili, një personalitet i rëndësishëm i organizimit politik dhe kombëtar të shqiptarëve,” ka deklaruar Ahmeti.
Ai theksoi se Halili ishte pjesë e pandërprerë e përpjekjeve për liri, drejtësi dhe barazi, duke dhënë kontribut të çmuar në ngritjen e vetëdijes kombëtare dhe në veprimin politik e revolucionar të kohës.
“Rafi Halili drejtoi organizatën revolucionare ‘Kushtrimi i Lirisë’, si dhe gazetën me të njëjtin emër, e cila shërbeu si zë i rezistencës politike të asaj kohe,” u shpreh Ahmeti.
Duke kujtuar bashkëveprimtarinë e Halilit me Rexhep Malën dhe Gafurr Lokun, Ahmeti vlerësoi brezin e atyre që, sipas tij, e kuptuan se ndryshimi kërkon guxim, përkushtim dhe sakrificë.
“Ky brez e shndërroi idealin kombëtar në veprim konkret politik,” theksoi ai.
Në fund, Ahmeti nënvizoi se jeta dhe vepra e Rafi Halilit mbeten pjesë e trashëgimisë kolektive dhe frymëzim për brezat e rinj.
“Lavdi jetës dhe veprës së tij,” përfundoi Ahmeti. Gazeta Flaka
















