“Faqja ‘Open Finance’ e Ministrisë së Financave e bllokuar, publiku pa qasje në të dhënat e transaksioneve”
Faqja zyrtare e platformës “Open Finance”, që duhet të pasqyrojë transparencën e institucioneve publike dhe të mundësojë qasje në të dhënat e transaksioneve të institucioneve buxhetore në Buxhetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, aktualisht nuk është e aksesueshme. Kur përdoruesit përpiqen të hyjnë, shfaqet mesazhi:
“Faqja nuk u gjet. Kjo lidhje nuk është private. Ky uebsajt mund të jetë duke u shtirur si ‘open.finance.gov.mk’ me qëllim që të vjedhë të dhënat tuaja personale ose financiare. Ju rekomandohet të ktheheni në faqen e mëparshme.”, transmeton Gazeta Flaka.
Më herët, nuk ka qenë praktikë që faqja e Ministrisë së Financave të bllokohet dhe të mos shfaqë të dhënat me karakter publik. Institucionet përgjegjëse ende nuk kanë dhënë sqarim nëse kjo ndodh për shkak të azhurnimeve të faqes, problemeve teknike apo për heqje të qëllimshme të qasjes.
Portali “Financa të hapura” ka për qëllim të mundësojë publikut qasje në të dhënat për realizimin e transaksioneve publike, duke rritur transparencën dhe llogaridhënien e institucioneve. Gazeta Flaka

















