VLEN – Marrëveshje në horizont apo përçarje e re në kampin shqiptar?
Procesi i transformimit të koalicionit VLEN në një parti të vetme ka hyrë në fazë delikate, me dallime të hapura rreth modelit të organizimit dhe ndarjes së pushtetit brenda strukturës së re politike.
Kryetari i Kuvendit dhe ish-lideri i Alternativës, Afrim Gashi, ka theksuar se dy parime janë të panegociueshme për subjektin që ai përfaqëson: barazia mes partnerëve dhe vendimmarrja konsensuale. Sipas tij, formula që e bëri VLEN-in funksional në zgjedhjet parlamentare dhe lokale ishte ndarja e barabartë në katër pjesë, një model që, sipas Gashit, duhet të ruhet edhe nëse koalicioni shndërrohet në parti.
Kjo qasje bie ndesh me ofertën që, sipas burimeve politike, kanë artikuluar liderët e Besës dhe Lëvizjes Demokratike, Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti. Sipas këtij propozimi, partia e re do të kishte dy bashkëkryetarë, ndërsa BESA dhe LD do të zotëronin nga 35 për qind të përfaqësimit në organet drejtuese, me 30 për qindëshin e mbetur të ndarë mes Alternativës, fraksionit të ASH-së të udhëhequr nga zëvendëskryeministri Arben Fetai, si dhe subjekteve më të vogla brenda koalicionit.
Gashi ka lënë të kuptohet se, nëse nuk respektohet parimi i barazisë, Alternativa nuk do të jetë pjesë e partisë së re, madje duke paralajmëruar se në një skenar të tillë do të japë dorëheqje nga posti i kryetarit të Kuvendit.
Nga ana tjetër, Fetai ka theksuar se për fraksionin e ASH-së brenda VLEN-it prioritet janë parimet e funksionimit, jo emrat. “Çështja e zgjedhjes së kryetarit nuk është problematike dhe vjen në fund, pasi të dakordohen premisat dhe mënyra e strukturimit”, ka deklaruar ai, duke riafirmuar modelin e ndarjes në katër çerek si bazë e suksesit elektoral.
Ditët e fundit është raportuar edhe për një marrëveshje paraprake mes Kasamit dhe Mexhitit për modelin e bashkëkryesimit, por mbetet e paqartë nëse ky konfigurim do të pranohet nga të gjithë partnerët.
VLEN aktualisht përbëhet nga BESA, Lëvizja Demokratike, Alternativa, fraksioni i ASH-së, si dhe subjekte të tjera më të vogla. Nëse negociatat dështojnë, koalicioni rrezikon të hyjë në zgjedhjet e ardhshme me konfigurim të ri politik – ose me përçarje të hapur brenda tij. Gazeta Flaka


















