Arben Taravari: Ndryshimet kushtetuese u bllokuan para Vitit të Ri
Kryetari i Aleanca për Shqiptarët, Arben Taravari, në një intervistë për Almakpress në emisionin “AGORA”, ka folur për zhvillimet e fundit politike brenda subjektit që drejton, raportet me grupin e Ziadin Sela, si dhe për të ardhmen e koalicionit VLEN, transmeton Gazeta Flaka.
Duke komentuar mundësinë e bashkimit me grupin e Selës, Taravari u shpreh se kjo çështje është tejkonsumuar dhe nuk meriton më vëmendje.
“Ka pasur shumë tendenca prej shokëve të përbashkët për bashkim, por mendoj se Ziadin Sela udhëhiqet nga emocionet dhe urrejtja patologjike ndaj meje. Kjo temë nuk meriton të komentohet më tej, është tejkonsumuar,” deklaroi Taravari.
I pyetur për largimin e Blerant Ramadanit dhe pretendimet për dorëheqje kolektive, ai theksoi se dorëheqja nuk lidhet me ndonjë krizë të brendshme.
“Në atë mbledhje është votuar me shumicë votash, vetëm tre vota ishin kundër. Blerandi ma ka konfirmuar se dorëheqja e tij lidhet me angazhimin në doktoraturë dhe në shkencë,” tha ai, duke shtuar se pavarësisht kësaj, në parti ka prurje të reja dhe së shpejti do të dalin në terren.
Taravari foli edhe për procesin e ndryshimeve kushtetuese, duke rikujtuar se premtimi për realizimin e tyre brenda gjashtë muajve ishte i përbashkët nga të gjithë liderët e VLEN-it.
“Pikësynimi kryesor i liderëve të VLEN-it ishte Bashkimi Europian. Kryeministri ishte optimist se me ndihmën e ndërkombëtarëve do të merrej një garancë për maqedonasit. Ne premtuam se për gjashtë muaj do të bëhen ndryshimet kushtetuese, të gjithë pa përjashtim. Por pak para Vitit të Ri, kryeministri na bëri me dije se kjo punë nuk bëhet,” u shpreh Taravari.
Duke folur për krijimin e VLEN-it, ai tha se struktura e mëparshme LEN përbëhej nga ish-anëtarë të Bashkimi Demokratik për Integrim dhe se përfshirja e ASH-së ishte pjesë e një kauze më të gjerë për ndryshim.
“Unë kam thënë edhe atëherë: ekziston BDI dhe derivate të BDI-së që ishin LEN. Të gjithë ata janë njerëz që kanë dalë nga BDI dhe mirë që kanë dalë. Kyçja e ASH-së në LEN – që u shndërrua në VLEN – ishte kauza jonë shumëvjeçare. Këtu ka pasur rol edhe kryeministri Kurti, që më bindi se është mirë të bashkohemi për të dalë përballë BDI-së,” deklaroi ai.
Taravari shtoi se diferenca mes VLEN-it dhe Frontit Europian u krijua për shkak të koalicionimeve të BDI-së me komunitetet turk, rom dhe boshnjak, vota që sipas tij ndikuan në rezultatin final.
Ai paralajmëroi se brenda ditëve do të mblidhet kuvendi i partisë, ku do të caktohet data e kongresit dhe do të zgjidhet një kryesi e përkohshme që do ta drejtojë partinë deri në kongresin e ardhshëm.
Në fund, Taravari theksoi se pas largimit nga posti i kryetarit nuk do të kërkojë funksione simbolike.
“Pas largimit tim nga Aleanca për Shqiptarët nuk do të kërkoj të jem as kryetar nderi, as kryetar kuvendi. Do të jem thjesht një anëtar i rëndomtë i partisë, në nëndegën e lagjes sime. Nuk do të ketë paraqitje publike apo komente politike, përveç rasteve kur kjo lidhet me mjekësinë,” përfundoi Taravari. Gazeta Flaka
EMISIONI:














