Rasti Grubi trondit politikën, debati vazhdon edhe sot
Emri i Artan Grubit vazhdon të dominojë agjendën politike dhe debatin publik në vend. Akuzat për korrupsion, reagimet e ashpra partiake dhe pritja për veprime konkrete institucionale e kanë shndërruar rastin në një nga çështjet më të nxehta të momentit. Teksa partitë përplasen me deklarata dhe kundërdeklarata, opinioni publik mbetet në pritje të një epilogu të qartë juridik që do të përcaktojë jo vetëm fatin politik të Grubit, por edhe pasojat për skenën politike në tërësi, shkruan Gazeta Flaka
VMRO-DPMNE ka reaguar me një kumtesë për media duke theksuar se ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi dyshohet për përfshirje në krime të rënda dhe korrupsion gjatë qeverisjes së Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë dhe Bashkimi Demokratik për Integrim.
Nga VMRO-DPMNE deklarojnë se “lufta kundër krimit dhe korrupsionit është përparësi dhe kushdo që ka vepruar në kundërshtim me ligjin do të duhet të përgjigjet sipas rendit ligjor”.
“Ai dyshohet për përvetësim në shërbim në rastin e lotarisë shtetërore. Dëmi për shtetin nga veprimet e tij është mbi 8 milionë euro, me indikacione se shuma është dukshëm më e lartë. Në publik u shprehën dyshime se, së bashku me drejtorin e atëhershëm të Lotarisë Shtetërore, Bajrami, u zhvilluan procedura kontroverse tenderimi dhe u paguheshin avanse partnerëve të biznesit”, thuhet në reagim.
Më tej, nga kjo parti akuzojnë LSDM-në për heshtje: “LSDM dinte për krimet e Grubit dhe heshti dhe nuk reagoi. Për të mbijetuar edhe një ditë në pushtet, LSDM toleroi abuzimet që ndodhën në Lotari nën udhëheqjen e Bajramit, dhe nën kujdesin e Grubit, kjo u konfirmua nga raporti i ESHR-së”.
“Publiku pret një zgjidhje institucionale. Lufta kundër krimit dhe korrupsionit është përparësi, dhe kushdo që ka vepruar në kundërshtim me ligjin do të duhet të përgjigjet sipas rendit ligjor”, theksojnë nga VMRO-DPMNE.
Ndërkohë, nga koalicioni VLEN kanë drejtuar akuza të ashpra ndaj kreut të BDI-së, Ali Ahmeti, duke e cilësuar si “dhelpra e vjetër e politikës” që, sipas tyre, po përballet me pasojat e sistemit që ka ndërtuar.
“Kutia e zezë e qeverisjes së BDI-së u vu në dispozicion të drejtësisë. E vërteta pashmangshëm do të fillojë të dalë në sipërfaqe. Artan Grubi nuk ishte një funksionar i zakonshëm. Ai ishte zbatuesi, koordinatori dhe njeriu i besuar për të gjitha vendimet kyçe gjatë viteve të fundit”, thuhet në reagimin e VLEN-it.
Sipas tyre, “nuk bëhet fjalë vetëm për përgjegjësi individuale, por për një sistem që ka filluar të shpërbëhet”, ndërsa theksojnë se “frika nuk është nga drejtësia, por nga shumë gjëra që Artan Grubi di dhe nga gjithçka që ai mund të nxjerrë në dritë”.
VLEN vlerëson se arresti shtëpiak i Grubit është “pasojë e gatishmërisë së tij për t’u përballur institucionalisht me mëkatet e tij”, duke shtuar se “institucionet më në fund po e hapin temën që BDI e ka varrosur prej vitesh”.
Sipas këtij koalicioni, pas humbjes në zgjedhjet lokale dhe dështimit të premtimeve për zgjedhje të parakohshme, BDI po përballet me “momentin më të rëndë të ekzistencës së saj politike”.
“Rikthimi i Grubit nuk është fundi i procesit. Është fillimi. Fillimi i një zbërthimi që mund të çojë në demaskimin e plotë të mënyrës se si ka funksionuar BDI. Nga sot, BDI nuk e kontrollon më narrativën. Përkundrazi, e vërteta ka nisur ta kontrollojë BDI-në”, thuhet në reagim.
Çështja mbetet në duart e institucioneve, ndërsa opinioni publik pret epilogun juridik dhe politik të këtij rasti që po mban në qendër të vëmendjes emrin e Artan Grubit dhe zhvillimet në skenën politike.
Ndërkohë që deklarata sporadike po jepen nga minuti në minut nëpër rrjetet sociale, nga ekspoentë politik, analistë dhe qytetarë të shumtë. Gazeta Flaka















