Zhvillimet në kuvendin qendror të ASH-së, flet Taravari | VIDEO

Flaka
Botuar nga Flaka 6 Prill, 2025 20:18 Përditësuar

Zhvillimet në kuvendin qendror të ASH-së, flet Taravari | VIDEO

REZOLUTË E KUVENDIT TË ALEANCËS PËR SHQIPTARËT: Mbi tragjedinë në Koçan dhe domosdoshmërinë e llogaridhënies institucionale:

Duke marrë parasysh tragjedinë e rëndë që ndodhi në orët e para të 16 marsit 2025 në qytetin e Koçanit, ku si pasojë e një zjarri shkatërrues humbën jetën 60 qytetarë dhe mbi 150 të tjerë u lënduan,
Duke konstatuar dështimet serioze të institucioneve përgjegjëse në zbatimin dhe garantimin e standardeve të licencimit, sigurisë dhe mbikëqyrjes inspektuese dhe policore,
Duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave dhe uruar shërim të shpejtë për të lënduarit,
Duke falënderuar institucionet shëndetësore për përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar, si dhe partnerët rajonalë dhe ndërkombëtarë për solidaritetin dhe asistencën e menjëhershme në menaxhimin e pasojave të kësaj tragjedie,
Duke u udhëhequr nga parimet themelore të drejtësisë, llogaridhënies, transparencës dhe mbrojtjes së interesit publik,
Kuvendi i Aleancës për Shqiptarët miraton këtë:
REZOLUTË
1. Kërkohet zhvillimi i një hetimi të plotë, të pavarur dhe transparent mbi tragjedinë në Koçan, nën drejtimin e institucioneve kompetente, të çliruara nga çdo ndikim politik, me detyrim për informim të rregullt dhe publik të qytetarëve për ecurinë dhe gjetjet e hetimit.
2. Kërkohet rihapja e hetimeve për tragjeditë e mëhershme, Durmo Turs, Besa Trans dhe Spitali Modular në Tetovë, të cilat së bashku kanë marrë jetën e 135 qytetarëve dhe për të cilat ende nuk është vendosur përgjegjësi institucionale apo individuale.
3. Kërkohet identifikimi dhe përcaktimi i qartë i përgjegjësisë, si individuale ashtu edhe institucionale, përmes analizës së thelluar të shkaqeve të dështimeve sistemike, duke adresuar neglizhencën, paaftësinë dhe praktikat korruptive.
4. Theksohet domosdoshmëria për forcimin e transparencës dhe llogaridhënies, përmes publikimit të procedurave të inspektimeve, raporteve të kontrollit dhe ndarjes së të dhënave me publikun në mënyrë të rregullt dhe të qasshme.
5. Kërkohet verifikim i detajuar i pasurisë dhe interesave të të gjithë zyrtarëve përgjegjës dhe inspektorëve, me qëllim të zbulimit të çdo konflikti interesi apo lidhjeje të mundshme korruptive me subjektet e inspektuara.
6. Rekomandohet ndërmarrja e mbikëqyrjes së jashtëzakonshme në të gjitha objektet me rrezik të lartë, në përputhje me standardet ndërkombëtare të sigurisë, veçanërisht në sektorët e gastronomisë, shëndetësisë, arsimit, sportit, transportit dhe ndërtimit.
7. Kërkohet reformë urgjente e politikës ndëshkimore, që garanton ndëshkime të drejta, të rënda dhe të zbatueshme ndaj të gjithë atyre që, përmes veprimeve apo mosveprimeve të tyre, kontribuojnë në ndodhinë e tragjedive të tilla.
8. Insistohet në zbatimin e menjëhershëm dhe të plotë të të gjitha rekomandimeve kundër korrupsionit të dhëna nga Komisioni për Antikorrupsion dhe Enti Shtetëror i Auditimit, pa vonesa, devijime apo selektivitet.
Kuvendi i Aleancës për Shqiptarët riafirmon bindjen se tragjedia e Koçanit nuk duhet të reduktohet në një statistikë të dhimbshme, por të shërbejë si pikë kthese për ndërtimin e një kulture të re të përgjegjësisë, sigurisë dhe sundimit të ligjit në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Koha për drejtësi, veprim dhe ndryshim është tani.
Miratuar më 06 prill 2025, në Gostivar

Flaka
Botuar nga Flaka 6 Prill, 2025 20:18 Përditësuar
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Flaka Media