10 shoferë të arrestuar brenda 24 orëve për shkelje të rënda në komunikacion
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë territorin e vendit, nëpunësit policorë kanë ndërmarrë aksione kontrolli në komunikacion, duke privuar nga liria gjithsej 10 shoferë për shkelje të rënda.
Sipas njoftimit, tetë prej tyre kanë drejtuar automjet pa patentë shoferi, ku nga dy raste janë regjistruar në Shkup, Prilep dhe Gostivar, ndërsa nga një në Tetovë dhe në Çashkë, ku njëri prej shoferëve ishte i mitur.
Ndërkohë, në Negotinë, një shofer është ndaluar për drejtim nën ndikimin e alkoolit, ndërsa një tjetër ka shkaktuar aksident rrugor duke drejtuar në gjendje të dehur dhe me ndalim aktiv për drejtimin e automjetit.
Autoritetet bëjnë të ditur se, pas dokumentimit të plotë të rasteve, ndaj personave të përfshirë do të ngrihen kallëzime përkatëse penale.
Policia u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të respektojnë rregullat dhe të shmangin drejtimin pa patentë, nën ndikimin e alkoolit apo në kundërshtim me ndalimet ligjore, me qëllim rritjen e sigurisë në rrugë.
Flaka
















