Izraeli shkarkon dy oficerë, pas vrasjes së punëtorëve të bamirësisë në Gazë

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 5 Prill, 2024 12:38

Izraeli shkarkon dy oficerë, pas vrasjes së punëtorëve të bamirësisë në Gazë

Ushtria e Izraelit ka thënë të premten se i ka shkarkuar dy oficerë të lartë dhe i ka qortuar tre të tjerë për rolin e tyre në sulmet me dronë në Rripin e Gazës, si pasojë e të cilave u vranë shtatë punëtorë gjatë shpërndarjes së ndihmave ushqimore.

Hetimi izraelit gjeti se forcat izraelite besuan gabimisht se po i sulmonin pjesëtarët e armatosur të Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – kur i sulmuan me dronë tre vetura të grupit bamirës, Kuzhina Qendrore Botërore.

Sipas hetimit, ata i shkelën procedurat standarde të ushtrisë.

Vrasja e punëtorëve të bamirësisë të hënën, gjë të cilën Izraeli e pranoi, vjen pas akuzave të vazhdueshme nga aleatët kryesorë, përfshirë SHBA-në, se Izraeli nuk po bën sa duhet për t’i mbrojtur civilët e Gazës gjatë luftimit të Hamasit.

Gjetjet e hetimit pritet t’i rrisin dyshimet ndaj aftësive të ushtrisë izraelite për vendimmarrje.

Palestinezët, grupet e bamirësisë dhe organizatat për të drejtat e njeriut, i kanë akuzuar forcat izraelite vazhdimisht se shtinë me armë në mënyrë të pakujdesshme ndaj civilëve gjatë konfliktit. Izraeli i mohon këto akuza.

“Është tragjedi”, tha zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari.

“Është një ngjarje serioze për të cilën jemi përgjegjës. Kjo nuk është dashur të ndodhte, dhe do të sigurohemi se nuk do të ndodhë më”, shtoi ai.

Është e paqartë nëse këto ndëshkime dhe kërkim falja do ta zbusin zemërimin ndërkombëtar për vrasjen e punëtorëve të Kuzhinës Qendrore Botërore, apo nëse do t’i bindin grupet ndërkombëtare të bamirësisë se ka siguri për rifillimin e punës së tyre në Gazë, ku një e treta e popullsisë është buzë urisë absolute.

Shtatë punëtorët e vrarë vinin nga vende si, Australia, Polonia, Britania e Madhe, si dhe një me shtetësi amerikano-kanadeze. /REL

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 5 Prill, 2024 12:38
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Marrja e paautorizuar e teksteve dhe videove me të drejtë autoriale ose ndonjë përmbajtje të ngjashme pa pëlqimin paraprak me shkrim të Flaka Media do të konsiderohet shkelje e të drejtave autoriale dhe për këtë Flaka e ruan të drejtën të kërkojë kompensim përkatës monetar.Mosrespektimi dhe abuzimi i të drejtave autoriale dhe të drejtave simotër dënohet me ligj.Çdo marrje e paautorizuar, shfrytëzim, përdorim apo publikim i tekstit, fotografitë ose videot apo çfarëdo përmbajtje tjetër e ngjashme që paraqet pronësi të Flaka Media, pa pëlqim paraprak me shkrim nga redaksua, ndalohet rreptësisht dhe për të njëjtën paguhet kompensim përkatës financiar, për çka pronari ka të drejtë të nis procedurë përkatëse.Në rast të marrjes së teksteve autoriale dhe videove apo çfarëdo përmbajtje tjetër, në mënyrë të obligueshme nevojitet pëlqim paraprak nga Flaka Media dhe vendosje të linkut që do të çojë deri në web faqen e Flaka Media.