KOSM: Të përmirësohen kushtet, ose do të mbetemi pa punëtorë
Konfederata e Organizatave Sindikale të Maqedonisë (KOSM) i bëri thirrje qeverisë së ardhshme që të miratojë Ligjin për Marrëdhënie Pune, me të cilin do të përmirësohen kushtet e punëtorëve si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat. Në të kundërtën, sipas tyre, të rinjtë dhe intelektualët do të largohen nga puna, ndërkaq shteti do të mbetet pa punëtorë.
“Kërkesa jonë do të jetë që përfundimisht të miratohet Ligji për Marrëdhënie Pune, me të cilin përfundimisht do të marrë fund kjo përbuzje që kryhet ndaj punëtorëve, me kontrata në vepër, me punësime të përkohshme. Patjetër të rritet paga minimale, të paktën të jetë, të mos them më e madhe ose e njëjtë me shtetet e rajonit. Në të kundërtën, Maqedonia do të mbetet pa punëtorë. Jemi dëshmitarë se një numër i madh të punësuarve vijnë nga shtetet e tjera”, deklaroi Marjan Risteski, kryetar i Konfederatës së Organizatave Sindikale të Maqedonisë (KOSM).
Mexhit Idrizi, i punësuar në Ndërmarrjen e Transportit Publik Shkup, njëkohësisht sekretar i organizatës sindikale, thotë se në ndërmarrjen ku ai punon, po ikin punëtorët për shkak të pagave të ulëta.
“Punëtorët na ikin prej ndërmarrjes, kemi vozitës që kanë dalë. Prej 3-4 ditësh, 4 persona kanë shkuar në Gjermani, ikin për shkak rrogave. Ne mundemi që t’i ndalim punëtorët që të mos dalin prej shtetit tonë”, tha Mexhit Idrizi, sekretar i organizatës sindikale në Ndërmarrjen e Transportit Publik.
Në ndërkohë, Maqedonia e Veriut, vazhdon të përballet me mungesë të punëtorëve, sidomos të fushave profesionale për shkak të ikjes së tyre në vendet perëndimore, ku kushtet dhe pagat janë më të larta. Nuk ka shifra zyrtare, por flitet për dhjetëra mijëra persona të larguar. Sipas regjistrimit të popullatës në vitin 2021, Maqedonia e Veriut ka mbi 260.000 persona jorezidentë. Popullata e Maqedonisë, prej vitit 2002 deri në vitin 2021 është zvogëluar për 185.000 banorë. /Alsat.mk