Kasami: Jemi me Furkanin dhe me çdo gazetar tjetër që i shërben të vërtetës
Kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të gazetarit Furkan Saliu.
“Gazetari Furkan Saliu të lirohet menjëherë. Të arrestohet gazetari sepse po bënte punën e tij, kjo qenka liria e fjalës në vendin tonë. Jemi me Furkanin dhe me çdo gazetar tjetër që i shërben të vërtetës dhe publikut! Kërkojmë nga institucionet kompetente të ndërmarrin të gjitha masat për rastin në fjalë. Pyesim publikisht kryeministrin teknik se pse nuk reagon për sulmin brutal ndaj fjalës së lirë?!”, ka shkruar Bilall Kasami.
Edhe kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, ka reaguar lidhur me arrestimin e gazetarit Furkan Sali, nga pjesëtarët e njësive policore, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të tij.
“Liria e shprehjes është e drejtë e pakontestueshme dhe asnjë gazetar nuk duhet të pengohet në punën dhe misionin e tij profesional për të njohur publikun me të vërtetën. Kërkojmë urgjentisht lirimin e gazetarit Furkan Saliu, ndërsa arrestimin e tij e konsiderojmë si sulm brutal ndaj fjalës së lirë dhe pengim i gazetarisë hulumtuese. Gjithçka mund të ndalni, po ama fjalën e lirë kurrë”, ka shkruar Mexhiti.
Për arrestimin e gazetarit Furkan Saliu, ka reaguar edhe kreytari i Lëvizjes Populli, Zejd Rexhepi. Ai thotë se gazetari Saliu sot ishte viktimë e nacionalizmit maqedonas. “Akoma pa filluar fushata zgjedhore, nacionalizmi maqedonas po vjen në shprehje nëpërmjet ministrisë së VMRO-së, parti kjo e cila në të kaluarën burgosi gazetarë, mbylli mediume me të vetmin qëllim, mbjelljen e frikës ndaj gazetarëve dhe heshtjes së fjalës së lirë. Ky veprim cilësohet si sulm brutal ndaj fjalës së lirë, dhe jo vetëm, por sulm edhe ndaj shqiptarëve me preteks të nxitjes së tensioneve ndëretnike në vend. Ftojmë faktorët ndërkombëtar që të ndërhyjnë sa më shpejtë dhe të lirohet gazetari Furkan Saliu”, ka shkruar Zejd Rexhepi.