VLEN me akuza ndaj kandidatit të Frontit Europian

Flaka
Botuar nga Flaka 14 Prill, 2024 10:10

VLEN me akuza ndaj kandidatit të Frontit Europian

Të nderuar qytetarë të Maqedonisë së Veriut, vendi ynë është anëtar i NATO-s. Por është me rëndësi të madhe pyetja, kush ia ka hapur derën e shtetit tonë oligarkëve rusë dhe serbë? Deputeti i BDI-së i njohur si “Pucko”, Ismail Jahoski, gjysmën e pompave të benzinës që ka në pronësinë e tij, i ka nga Lukoil, kompania e madhe ruse e lidhur me Putinin, akuzuan nga VLEN.

“Pucko vetë merr pothuajse gjysmën e tenderëve, por bashkë Lukoil-in ai merr shumicën e tenderëve nga institucionet publike dhe ministrisë. Përparim Bajrami i BDI, drejtori i llotarisë, një nga bizneset e tij, restorantin në Kumanovë e ka pikërisht tek Lukoil, në autostradë. Biznesi i kazinove, i cili mbrohet dhe avancohet nga figura të shquara të BDI-së, udhëhiqet nga nëntoka serbe. Vetë Bujar Osmani ka qenë i përfshirë në licensimin e kazinove, dhe për këtë ka dokument të nënshkruar prej tij, në licensimin e Mijallkovit”, akuzuan nga VLEN.

Fronti i BDI-së meriton të quhet Front i Oligarkëve Rusë dhe Serbë. Kur ata thonë Jo Rusisë, Jo Sërbisë e Jo Kinës, të rikujtojmë: Nga viti 2002 në RMV janë futur mbi 70 kompani me kapital rus. Të ardhurat vjetore të këtyre kompanive janë mbi 200 milion euro. Natyrisht lindin pyetjet: Kush ishte në pushtet dhe kush e lejoi futjen e LUKOIL në RMV? Kush është ortak në biznes me LUKOIL? Kush ishte në pushtet dhe kush e lejoi futjen e TE-TO në RMV? Kush ishte në pushtet dhe kush e shiti BUCHIM-in rusëve? Kush ishte në pushtet dhe kush lejoi Sergej Samsonenkon (Hotel “Rusia”,”Sis Investment Group”) të investojë në RMV? Kush ishte në pushtet dhe kush lejoi biznesmenin rus Oleg Viktorovich Bojko, i cili është në listën e zezë të SHBA, (Iute Credit dhe Forca- kredi të shpejta) të investoj në RMV? Kush ishte në pushtet dhe kush lejoi Nikolaj Tokarev (MAYA) të investoj në RMV? Djali i cilit zyrtar të lartë të BDI-së është përfaqësues i Huawei për Maqedoninë e Veriut? Kush solli ligj special në parlament për t’ua dhënë autostradën Kërçovë – Ohër kompanisë kineze Sinohydro? Kush e futi nëntokën serbe në RMV me biznesin e kazinove? Kush e licensoi Mozzartin serb? Përgjigjet e këtyre pyetjeve dihen, Fronti i Oligarkëve Rusë dhe Serbë. Fatmirësisht, afati i tyre ka mbaruar, BDI-së i ka ikur koha. Ndryshimi po vjen, ndryshimi VLEN”, përfundon kumtesa e VLEN.

Flaka
Botuar nga Flaka 14 Prill, 2024 10:10