Edhe një politikan nga Shqipëria inkuadrohet në zgjedhjet e Maqedonisë. Meta favorizon VMRO-DPMNE!

Flaka
Botuar nga Flaka 15 Prill, 2024 00:05

Edhe një politikan nga Shqipëria inkuadrohet në zgjedhjet e Maqedonisë. Meta favorizon VMRO-DPMNE!

Pas përfshirjes së Albin Kurtit në zgjedhjet presidenciale e parlamentare në Maqedoninë e Veriut, edhe kryetari i Partisë së Lirisë në Shqipëri, Ilir Meta, ka shprehur mbështetjen e tij për VMRO-DPMNE-në. Sipas ish presidentit të Shqipërisë, nga fitorja e VMRO-së do të kenë përfitim të gjithë qytetarët e Maqedonisë.

“Fitorja e pritshme e VMRO-DPMNE në zgjedhjet e afërta do t’i japë një dimension të ri zhvillimit ekonomik të Maqedonisë së Veriut në të ardhmen nga i cili do të përfitojnë të gjithë qytetarët e saj.

Të mos harrojmë se vizioni dhe politikat e saj në qeverisje e shndërruan Maqedoninë e Veriut, vendin e 10-të në botë dhe të 5-të në Europë për klimën e biznesit dhe investimet e huaja.

Falë vizionit të VMRO-DPMNE, Maqedonia e Veriut shpërtheu për rritjen e bujqësisë dhe blegtorisë duke e nisur me 10 milionë euro financim në vit e duke e çuar në 200 milionë euro.

Ekipi i ri i VMRO-DPMNE besoj se ka mësuar mjaftueshëm nga gabimet e bëra në të kaluarën dhe pasojat e nepotizmit, të cilat eklipsuan arritjet e jashtëzakonshme ekonomike dhe sociale.

Maqedonia e Veriut do të vazhdojë të ecë e sigurt në rrugën euro-atlantike dhe përsëri shqiptarët do të jenë garancia kyçe për këtë!”, ka shkruar Meta.

Flaka
Botuar nga Flaka 15 Prill, 2024 00:05