Taravari: Me ardhjen e VLEN-it në pushtet, viktimat e rasteve të montuara do të lirohen dhe do të dëmshpërblehen

Flaka
Botuar nga Flaka 16 Prill, 2024 12:25

Taravari: Me ardhjen e VLEN-it në pushtet, viktimat e rasteve të montuara do të lirohen dhe do të dëmshpërblehen

Të dashur qytetarë, të nderuara media,
 
Këtë javë, janë bërë 12 vjet nga montimi i rastit Monstra në lidhje me  vrasjen e pesëfishtë në liqenin e Smillkovës. Për këtë vepër të fabrikuar nga strukturat parapolitike, pesë shqiptarë të pafajshëm janë dënuar me burgim të përjetshëm ose me dënim maksimal. Nga ana e pushtetit, ky përvjetor u trajtua si të gjithë të tjerët: me heshtjen që e karakterizon faji. 
 
Monstra, Sopoti, Brodeci, Alfa, Lagja e Trimave dhe të tjera, janë që të gjitha emra që na e kujtojnë një plagë të hapur në shoqërinë tonë, atë të drejtësisë selektive që e shtyp shqiptarin. Ky sistem i padrejtësisë e ka bërë shqiptarin mish për top, për të qeruar hesape politike apo për të shtyrë përpara agjenda shoviniste saherë që dikujt i rrezikohet pushteti.  
 
Drejtësia selektive në rastet e montuara politike por edhe pandëshkueshmëria në rritje pas ndryshimit të Kodit Penal, na kanë sjellur në një gjendje ku vetëm 2% e qytetarëve i besojnë drejtësisë.
 
Unë si President i Republikës, do të ndërmarr hapa konkret për zgjidhjen e rasteve të montuara politike dhe për rikthimin e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë.
 
Me koalicionin VLEN, do të kemi si top prioritet ngritjen e një gjyqësori të pavarur, efektiv dhe të drejtë, ku askush nuk do të jetë mbi ligjin dhe askush nuk do të shtypet për shkak të përkatësisë kombëtare. 
 
VLEN zotohet për krijimin e një trupe të përkohshme ekspertësh perëndimorë, kryesisht nga vendet evropiane, që do të integrohen në këshillat prokuroriale e gjyqësore të Maqedonisë së Veriut për një mandat gjashtëvjeçar. Kjo trupë do të monitorojnë punën e gjyqtarëve dhe prokurorëve vendas. Por ata do të kontribuojnë edhe vetë si gjyqtarë e prokurorë. 
 
Do të shtyjmë përpara ligjin për vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe do të reformojmë në tërësi sistemin për zgjedhjen, avancimin, disiplinimin dhe shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve publik. 
 
Pas plebishit popullor të 24 prillit dhe 8 majit, në sistemin tonë të drejtësisë, nuk do të ketë më vend për gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar dhe me mendësi jugosllave. 
 
VLEN do të bëjë evropianizimin e sistemit të drejtësisë, si kusht i domosdoshëm për të ndalur epideminë e korrupsionit dhe drejtësinë selektive. Ne mund të bëhemi vend anëtar i BE-së vetëm atëherë kur Gjykata e Tetovës dhe e Shkupit të jenë po aq të besueshme sa Gjykata e Berlinit apo Bonnit. Rrugë tjetër nuk ka. 
 
Me ardhjen e VLEN në pushtet, të gjitha viktimat e rasteve të montuara do të lirohen dhe do të dëmshpërblehen.
 
Ndryshimi ka nisur dhe nuk ka të ndalur. Drejtësia VLEN sepse ajo është parakusht për shoqëri inkluzive, për demokracinë dhe për zhvillimin ekonomik. 
 
Tani po ia kaloj fjalën z. Sabri Aziri, familjar i Haki Azirit dhe Fejzi Aziri, dy nga shqiptarët e dënuar padrejtësisht me 9 dhe 15 vjet burg në rastin Monstra. 

Arben Taravari

Flaka
Botuar nga Flaka 16 Prill, 2024 12:25
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Marrja e paautorizuar e teksteve dhe videove me të drejtë autoriale ose ndonjë përmbajtje të ngjashme pa pëlqimin paraprak me shkrim të Flaka Media do të konsiderohet shkelje e të drejtave autoriale dhe për këtë Flaka e ruan të drejtën të kërkojë kompensim përkatës monetar.Mosrespektimi dhe abuzimi i të drejtave autoriale dhe të drejtave simotër dënohet me ligj.Çdo marrje e paautorizuar, shfrytëzim, përdorim apo publikim i tekstit, fotografitë ose videot apo çfarëdo përmbajtje tjetër e ngjashme që paraqet pronësi të Flaka Media, pa pëlqim paraprak me shkrim nga redaksua, ndalohet rreptësisht dhe për të njëjtën paguhet kompensim përkatës financiar, për çka pronari ka të drejtë të nis procedurë përkatëse.Në rast të marrjes së teksteve autoriale dhe videove apo çfarëdo përmbajtje tjetër, në mënyrë të obligueshme nevojitet pëlqim paraprak nga Flaka Media dhe vendosje të linkut që do të çojë deri në web faqen e Flaka Media.