Meta: Fitorja e Siljanovska-Davkova do të jetë edhe më e madhe në raundin e dytë
Ish-presidenti shqiptar dhe lideri aktual i Partisë së Lirisë në opozitën shqiptare, Ilir Meta është “i kënaqur me rezultatin e djeshëm zgjedhor të VMRO-DPMNE-së”, përcjell FLAKA.
“Rezultati i djeshëm në Maqedoni tregoi qartë se rikthimi i tyre do t’i japë një dimension tjetër, edhe më të lartë atij modeli, të cilin duhet ta ndjekim edhe ne duke e përshtatur me kushtet tona”, tha Meta, transmeton ABC News.
Meta shpreh bindjen se fitorja e kandidates së VMRO-DPMNE-së, profesoreshës Gordana Siljanovska-Davkova, do të jetë edhe më e madhe në raundin e dytë të 8 majit.
Ilir Meta, i cili po përgatitet të reformojë partinë e tij, thotë se në shembullin e zhvillimeve në Maqedoni, edhe Partia Demokratike e Shqipërisë duhet të organizohet për rinovim dhe të jetë alternativë e zgjedhjeve të 2025-ës, raporton televizioni shqiptar.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) shpalli rezultatet e zgjedhjeve të djeshme. Stevo Pendarovski ka 180.306 vota ose 19.93 për qind, Gordana Siljanovska Davkova ka 362.682 ose 40.08 për qind, Stevço Jakimovski ka fituar 8.103 ose 0.90 për qind, Bujar Osmani ka marrë 120.903 ose 13,4 për qind, Arben Taravari ka 83 356 vota ose 9,21 për qind dhe Maksim Dimitrievski ka fituar 83787 ose 9,26 për qind. FLAKA














