Mexhiti nuk mohon se “VLEN” synon MPB-në – Mickoski: Nuk flasim për ndarjen e resorëve para 8 majit

Drin Zenku
Botuar nga Drin Zenku 3 Maj, 2024 17:13

Mexhiti nuk mohon se “VLEN” synon MPB-në – Mickoski: Nuk flasim për ndarjen e resorëve para 8 majit

Lufta kundër korrupsionit dhe marrja e resorëve të cilët nuk kanë qenë të përfaqësuar nga shqiptarët në 30 vitet e kaluara është qëllimi i opozitës shqiptare. Kështu deklaroi njëri prej kryetarëve të koalicionit VLEN, Izet Mexhiti, në lidhje me zërat se opozitës shqiptare do t’i ofrohet resori i Ministrisë së Punëve të Brendshme.

“Sa i përket resorëve të qeverisë së re, një ndër shtyllat e programit tonë është edhe lufta kundër korrupsionit dhe zbatimit të ligjit. Kështu që do të jetë edhe intenca jonë që të kemi përfaqësim edhe në resorët e Punëve të Brendshme. Po ashtu, intencë është se disa segmente të shtetit nuk janë udhëhequr asnjëherë nga shqiptarët në këto 30 vite dhe do të pretendojmë që të thyhet akulli edhe në këto dikastere”, deklaroi Izet Mexhiti, koalicioni VLEN.

Në lidhje me deklaratën ironike të Ahmetit, i cili tha se nëse Mexhiti bëhet ministër i Punëve të Brendshme do të jetë shumë i sigurt, Mexhiti porositi Ahmetin se askush nuk është i paprekshëm.

“Ligji është mbi të gjithë ne, edhe mbi Ali Ahmetin. Nëse e ka shkel ligjin do të përgjigjet edhe Ahmeti edhe secili nga ne”, shtoi Izet Mexhiti, koalicioni VLEN.

Pas rrethit të parë të zgjedhjeve presidenciale, kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski në disa raste, ka porositur se BDI-ja duhet të shkojë në opozitë dhe se do të koalicionojë me VLEN-in.

“Populli foli, koalicionin e ardhshëm në Maqedoni do ta udhëheqë VMRO-DPMNE dhe në të do të jetë koalicioni, i cili në këto zgjedhje mori pjesë me emrin VLEN”, u shpreh Hristijan Mickoski, VMRO-DPMNE.

BDI, nga ana tjetër insiston në parimin që fituesit e bllokut maqedonas dhe shqiptarë të formojnë qeverinë. Por, ky parim u shkel nga vetë BDI në vitin 2017, kur u formua qeveria me LSDM-në, pavarësisht se fitimtare ishte VMRO-DPMNE. 

Drin Zenku
Botuar nga Drin Zenku 3 Maj, 2024 17:13