Ekonomia qarkulluese, parashihen lehtësime të reja doganore
Negociatat me doganën për uljen e doganimit të mbeturinave, lehtësimet tatimore për investimet në ekonominë qarkulluese dhe krijimi i legjislacionit për bashkëpunim rajonal në fushën e mbeturinave janë prioritetet e Ministrisë së Ekonomisë në lidhje me ekonominë qarkulluese, që nënkupton reduktimin e mbetjeve dhe emetimet e dëmshme në ajër. Çdo investim është rrezik dhe investimet në ekonominë qarkulluese nuk janë gjithmonë fitimprurëse për kompanitë, por janë zgjedhja e duhur, thotë Blerim Zllatku nga Ministria e Ekonomisë.
“Ligji për përkrahje financiare të investimeve, ndryshimet e të cilit do të jenë së shpejti, do ta shqyrtojmë mundësinë që për të gjitha këto investime t’u japim disa lehtësime tatimore, financiare dhe jofinanciare.”, – deklaroi Blerim Zllatku nga Ministria e Ekonomisë.
Doganat thonë se po punojnë për zgjerimin e korridoreve të gjelbra me disponueshmëri 24/7 dhe uljen e barrierave tregtare. Asgjësimi i mallrave nën mbikëqyrjen doganore kryhet nga operatorë me leje mjedisore të integruara të lëshuara nga Ministria e Brendshme.
“Procedura për importin e këtyre mallrave, përveç shkatërrimit të mallit që do të mbetet dhe do të jetë mbeturinë, do të mund të përfundojë me lëshim në qarkullim të lirë me doganim importues. Mund të them se ka interes të shtuar tek operatorët ekonomik, një pjesë e këtij malli edhe në industrinë e tekstilit dhe në industrinë automobilistike të përdoret sa më shumë.”, – theksoi Marijan Tasevski nga Sektori për Sistem Doganor.
Vitin e kaluar, më shumë se 100 ndërmarrje të vogla dhe të mesme morën mbështetje financiare nga UNDP-ja për investime të gjelbra me efiçencë energjetike, duke hapur një numër të madh të vendeve të gjelbra, thotë Rita Kolumbia nga Zyra e OKB-së.
“115 kompani të vogla dhe të mesme morën financa për investime të gjelbra sa i përket efikasitetit energjetik dhe burime të ripërtërishme të energjisë duke hapur një numër të madh të vendeve të gjelbra të punës dhe kjo ishte përkrahur nga UNDP-ja.”, – u shpreh Rita Kolumbia nga Zyra e OKB-së.
Me rritjen e presionit mbi burimet natyrore, ekonomia qarkulluese është një qasje inovative për zhvillimin e qëndrueshëm. Vendi ka bërë përparim të madh drejt legjislacionit të nevojshëm për të mundësuar kalimin në ekonominë qarkulluese, por ende duhet shumë punë në këtë plan.














