Inteligjenca artificiale ua lehtëson doktorëve t’i identifikojnë eshtrat e thyera

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 22 Tetor, 2024 20:27

Inteligjenca artificiale ua lehtëson doktorëve t’i identifikojnë eshtrat e thyera

Inteligjenca artificiale (AI) ka potencialin për t’u ndihmuar doktorëve për të identifikuar më mirë numrin e frakturave apo eshtrave të thyera, kur mjekët analizojnë radiografitë. Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit dhe Kujdesit (NICE) në Britani të Madhe, teknologjia është e sigurt dhe mund ta përshpejtojë diagnozën, duke lehtësuar ngarkesën që kanë mjekët dhe duke ulur nevojën për analiza të mëtejshme, ka raportuar BBC.

Katër mjete me AI do të rekomandohen për përdorim në kujdesin emergjent në Angli. Përderisa më shumë prova do të mblidhen për përfitimet e saj, çdo imazh do të shqyrtohet gjithmonë edhe nga një profesionist shëndetësor.

NICE thekson se frakturat shpesh kalojnë pa u vënë re në 3-10% të rasteve dhe kjo është një nga gabimet më të zakonshme në departamentin e emergjencës. Ka një mungesë të madhe të radiologëve dhe radiografëve, me 12.5% dhe 15% vende të lira pune.

“Këto teknologji me AI do t’ua lehtësojnë punën profesionistëve duke ndihmuar në zbulimin e frakturave që mund t’u shpëtojnë vëmendjes së mjekëve”, ka thënë Mark Chapman, drejtor i teknologjisë shëndetësore në NICE, i cili gjithashtu ka theksuar se përdorimi i AI-së mund të përshpejtojë diagnozën dhe të reduktojë nevojën për analiza të mëtejshme.

NICE beson se teknologjia nuk do të çojë në rritjen e diagnozave të gabuara ose referimeve të panevojshme në klinikat për fraktura, pasi një radiolog do ta shqyrtojë gjithmonë imazhin. Kjo qasje do të jetë më e mirë se analiza që mund të bëjë një mjek i vetëm.

Potenciali i AI-së në kujdesin shëndetësor është shumë i madh dhe ai po përdoret gjithashtu për të zbuluar shenjat e para të kancerit të gjirit, për të identifikuar ata që janë më të rrezikuar nga infarktet dhe për të parashikuar pandemitë e ardhshme.

Konsultimet mbi udhëzimet e draftit të NICE-s për përdorimin e AI-së do të përfundojnë më 5 nëntor.

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 22 Tetor, 2024 20:27