Faturat, stresi dhe ëndrrat – si të mbijetoni me pagën minimale në RMV?

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 31 Tetor, 2024 22:40

Faturat, stresi dhe ëndrrat – si të mbijetoni me pagën minimale në RMV?

Vitet e fundit, jeta me pagë minimale në Maqedoni është bërë një realitet gjithnjë e më i vështirë për mijëra familje.

Sipas statistikave, numri i personave që punojnë me pagë minimale po rritet dhe shumë prej tyre janë të detyruar të jetojnë në kushte që dëmtojnë rëndë shëndetin dhe mirëqenien e tyre.

Përballë sfidave të përditshme financiare, familjet maqedonase që jetojnë me pagë minimale shpesh ballafaqohen me zgjedhje që lënë pasoja për standardin e tyre të jetesës.

Sfidat financiare të familjeve në Maqedoninë e Veriut

“Në familjen tonë punoj vetëm unë, ndërsa gruaja ime është shtëpiake. Me pagën time minimale prej rreth 24.000 denarë, mezi i mbulojmë shpenzimet elementare. Ajo që më shqetëson më së shumti është se me këtë shumë nuk mund të siguroj atë që është e nevojshme për fëmijët tanë, veçanërisht për arsimimin dhe shëndetin e tyre”, thotë Gordan Stojanovski, një punëtor 35-vjeçar në fabrikë në Shkup.

Situata e tij nuk është një rast i izoluar. Hulumtimet tregojnë se shumë familje që jetojnë me pagë minimale nuk mund të përballojnë ushqim cilësor, sigurim shëndetësor dhe kontrolle të rregullta për fëmijët e tyre.

Kostot bazë të ushqimit, energjisë elektrike, ujit dhe qirasë zënë pjesën më të madhe të buxhetit të tyre mujor, duke lënë pak për ndonjë rast të paparashikuar.

Si pasojë, këto familje shpesh detyrohen të marrin kredi ose të kërkojnë punë shtesë për të mbuluar nevojat bazë.

Pasojat sociale të jetesës me pagë minimale

Jetesa me pagë minimale shpesh shoqërohet me ndjenja stresi dhe pasigurie të vazhdueshme, gjë që ndikon negativisht në shëndetin mendor të anëtarëve të familjes.

Sipas hulumtimeve, familjet që përballen me këto sfida kanë gjithashtu një shkallë më të lartë konfliktesh, të shkaktuara nga problemet financiare dhe burimet e kufizuara.

Në raste të tilla, më së shumti vuajnë fëmijët, pasi arsimimi, aktivitetet sportive dhe jeta shoqërore sakrifikohen për të siguruar nevojat elementare.

“Paqëndrueshmëria financiare çon në një krizë të stabilitetit psikologjik në familje”, shpjegon psikologia Sanja Ljubenoviq.

Stresi i vazhdueshëm për të mos siguruar mjaftueshëm për familjen krijon ankth kronik, i cili mund të ketë pasoja të rënda shëndetësore, shton ajo.

“Familje të tilla jetojnë në një rreth frike, në të cilin çdo ditë është një sfidë e re për mbijetesë dhe kjo e zvogëlon edhe më shumë aftësinë e tyre për të kërkuar mundësi dhe alternativa më të mira”, tha Ljubenoviq.

Paga minimale dhe inflacioni

Edhe pse paga minimale është e rregulluar me ligj dhe rritja e saj është shpesh temë debati, megjithatë, realiteti është se rritja e pagave mbetet pas presionit inflacioniste.

Me rritjen e vazhdueshme të çmimeve të produkteve dhe shërbimeve bazë, fuqia blerëse e qytetarëve që jetojnë me pagën minimale ulet çdo muaj që kalon.

Vitin e fundit ka pasur rritje të çmimeve të ushqimeve, karburanteve dhe shërbimeve komunale, gjë që e vështirëson edhe më shumë jetën e këtyre familjeve.

“Rritja e pagës minimale është e mirëseardhur, por në vetvete nuk mjafton”, thonë analistët ekonomikë.

Ajo që nevojitet, shtojnë ata, është një politikë ekonomike e qëndrueshme që do të ofrojë siguri ekonomike afatgjatë në mënyrë që njerëzit të mos shqetësohen se si do t’i mbulojnë shpenzimet bazë.
“Masat ekonomike që synojnë mbështetjen e familjeve me të ardhura të ulëta, si subvencionet për ushqimin apo energjinë elektrike, mund të lehtësojnë gjithashtu situatën”, këshillojnë ekspertët. /B.Z.M.

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 31 Tetor, 2024 22:40