Investimet kapitale 2025: Me të renë apo të vjetrën? 

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 31 Tetor, 2024 20:55

Investimet kapitale 2025: Me të renë apo të vjetrën? 

Profesori i ekonomisë Neritan Turkeshi thotë se rritja ekonomike më e madhe se 5 për qind që do të sjellë përmirësim të standardit dhe rritjen e pagave nuk lidhet vetëm me realizimin e investimeve kapitale të shtetit që shpesh janë joefikase që nga fillimi deri në fund, por edhe realizimin maksimal të reformave në më shumë fusha

Qeveria kësaj jave miratoi buxhetin rekord deri më tani prej 6.5 miliardë euro ku rritja ekonomike parashikohet të jetë 3.7 për qind, minusi në arkën e shtetit apo deficiti buxhetor pritet të jetë 4 për qind e PBB-së dhe inflacioni 2.2 për qind. Pra, Qeveria duhet të harxhojë në vitin e ardhshëm si vit zgjedhor kur do të mbahen zgjedhjet lokale 6.5 miliardë, ndërsa do të grumbullojë të ardhura në vlerën prej 5.8 miliardë euro. Me fjalë tjera kemi rritje edhe të shpenzimeve, por edhe të ardhurave, apo të hyrave dhe dalave.

Sërish kemi investimet kapitale mbi 800 milionë euro që në shikim të parë janë të larta. Mirëpo këto mjete shpesh shkurtohen gjatë rishikimit të buxhetit apo janë shpenzimet e para që i nënshtrohen “gërshërëve”gjatë rishpërndarjes së shpenzimeve qeveritare kur mungojnë para në dikastere tjera. Për më tepër lidhur me realizimin e vështirë të shpenzimeve kapitale flasin edhe të dhënat e fundit financiare, të cilat tregojnë se deri në tremujorin e tretë të këtij viti apo deri në muajin shtator nuk janë realizuar as gjysma e projekteve të planifikuara. Zbatimi i pakënaqshëm i investimeve kapitale sipas ekspertëve të ekonomisë nuk ndihmojnë zhvillimin ekonomik, sepse këto mjete kontribuojnë në përmirësimin e klimës së biznesit dhe në përgjithësi në rritjen e ekonomisë.

Analizat e Revizionit apo Auditimit të shtetit tregojnë mungesën e një sistemi për menaxhimin e investimeve publike dhe mos marrjen e masave korrigjuese që shkakton stagnim dhe dinamikë të ngadaltë të realizimit të projekteve strategjike infrastrukturore, rritje të kostove për realizimin e projekteve dhe rreziqe të larta fiskale për financat publike, si dhe rrezik për ekonominë dhe jetën e qytetarëve. Bile nuk ka asnjë bazë të vetme të dhënash të projekteve nga e cila mund të shihen investimet publike dhe projektet strategjike që janë në zbatim, vlera e tyre, dinamika e realizimit, mënyra e financimit, lloji i ndërtimit dhe të dhëna e informacione të tjera që do të shërbenin për vlerësime dhe analiza për nevojat e shtetit, konstaton Revizioni shtetëror.

INVESTIME REALE KAPITALE

Ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska thekson se investimet kapitale të parashikuara janë reale dhe nuk ka arsye të dyshohet se do të realizohen. Sipas saj, nga zëri për investime kapitale, në vlerë prej 50.65 miliardë denarë, nuk mund të shkurtohet, sepse shumica e mjeteve janë të parapara nga kreditë. “Asnjëherë më parë nuk janë financuar kaq shumë projekte me kredi sa tani. Në SHBA javën e kaluar kam pasur bisedime me Bankën Botërore dhe na kanë paralajmëruar se në vitet e fundit nuk i është kushtuar vëmendje realizimit të projekteve që financojnë. Edhe në Qeveri kësaj jave kemi folur shumë për realizimin e atyre projekteve. Nuk ka asnjë arsye për të dyshuar se nuk do të ketë realizim. Thelbi është se si do të organizohen ministrat. Këta ministra janë gati, po punojnë fort që të nisin projektet që kanë ngecur. Nëse ne i drejtojmë projektet do të ketë realizim. Nëse flasim për para në investime kapitale, flasim për investime reale, e jo për transfere si në periudhën e kaluar, të cilat janë përdorur për të paguar paga apo për të blerë lëndë të parë”, theksoi Dimitrieska-Koçoska.

Njëherësh shpenzimet kapitale shënojnë rritje prej 13% ose 6 miliardë denarë në raport me ribalancin e buxhetit për këtë vit. “Sipas kësaj bazojmë zhvillimin, më ç’rast kjo reflektohet edhe në faktin se vlera e shpenzimeve kapitale është më e lartë se vlera nominale e deficitit. Ajo që është më e rëndësishme është krijimi i zgjidhjeve për arritjen e realizimit real të shpenzimeve kapitale dhe për ndryshimin e situatës së kaluar. Këtu do të jetë fokusi ynë, prandaj ndryshuam edhe politikën. Kjo politikë do të thotë përkrahje për projekte cilësore dhe projekte që mund të realizohen në periudhë afatshkurtër dhe t’i japin input rritjes ekonomike”, theksoi ministrja e Financave.

Ekspertët ekonomik vlerësojnë se përfundimisht është e nevojshme të gjendet ilaçi dhe të përcaktohen shkaqet reale të ngecjeve të investimeve kapitale.

Profesori i ekonomisë në Universitetin Nëna Terezë në Shkup, Neritan Turkeshi thotë se rritja ekonomike më e madhe se 5 për qind që do të sjellë përmirësim të standardit dhe rritjen e pagave nuk lidhet vetëm me realizimin e investimeve kapitale të shtetit që shpesh janë joefikase që nga fillimi deri në fund apo nga planifikimi dhe deri në përfundimin e tyre, por edhe realizimin maksimal të reformave në më shumë fusha. “Shikoni vetëm ndryshimet e shpeshta të projekteve madhore të infrastrukturës në vend që nga tenderimi, ndryshimi i kushteve të kontratave për arsye objektive apo subjektive , mos planifikimi me kujdes i projekteve që më vonë kushtojnë para shtesë . Pra lypset realizimi më me seriozitet i punimeve në teren. Për më tepër realizimi i projekteve që sjellin benefite për të gjithë shoqërinë kërkon edhe ndërtimin e një konsensusi shoqëror. Flasim për zhvillimin e turizmit në Ohër dhe Strugë dhe akoma nuk kemi autostradën gati deri atje, ndërsa turistët ikin në shtetet fqinje si ato vendor dhe të huaj”, shprehet Turkeshi.

STRATEGJIA AFATGJATE

Problem më vete është edhe mos realizimi i një strategjie zhvillimore për 10 apo 20 vite me ndryshimet e nevojshme gjatë kohës dhe me pajtimin e të gjithë aktorëve politik që do të realizohej pa marrë parasysh se kush është në pushtet. “Reformat aq të nevojshme në arsim, gjyqësor, shëndetësi, prodhimin e mjaftueshëm të energjisë dhe ushqimit në vend dhe uljen e vartësisë nga importi nuk bëhen për një mandat. Mos harrojmë edhe uljen e ekonomisë gri që mund të sjellë mbi 600 milionë euro në vit në arkën e shtetit. Gjithashtu rritja e profesionalizimit të administratës, rritja fuqisë punëtore me shkathtësi më të mëdha, rritja e vlerës së shtuar të prodhimeve dhe shërbimeve tona, vetëm se po vonohen dhe zhagiten me vite. Dhe në fund është edhe rritja e eksportit si kusht të domosdoshëm për një ekonomi të prosperuar. Nëse flasim për efikasitetin e shtetit apo shërbimeve të ndryshme, vetëm paramendoni se sa kohë shpesh harxhoni si qytetar apo afarist për nxjerrjen e një dokumenti, ndërsa me vite flasim për dixhitalizimin dhe pak po shfrytëzojmë teknologjinë informatike për të lehtësuar biznesbërjen por edhe shërbimet e zakonshme për qytetarët”, konstaton Turkeshi.

Ndryshe, praktikën e gabuar të shkurtimit të investimeve kapitale që dëmton zhvillimin më të madh ekonomik të vendit, dhe shqetësimin për këtë dukur e ngriti së fundmi edhe institucioni i Revizorit Shtetëror, që vlerëson se është e palejueshme që institucionet të kenë fare pak realizim të investimeve kapitale. “Nuk mund të luash, të planifikosh dhe të kesh zero realizim. Kjo do të thotë, ose kjo vendoset sa për sy e faqe që të thoni se keni diçka dhe në fund nuk keni realizim fare”, thonë nga Revizioni shtetëror. Ato kritikojnë shfrytëzimin jo adekuat të mjeteve publike, ku si pasojë vijmë deri te reduktimi i mjeteve të caktuara buxhetore për investime të caktuara kapitale. Pra, duhet të kujdesemi më mirë për menaxhimin e investimeve kapitale në mënyrë më të përshtatshme dhe më cilësore, shtojnë nga ky institucion.

Analizat tregojnë se investimet kapitale në periudhën 2017-2021 kanë lëvizur prej 200 deri 380 milion euro në vit me një realizim prej 50 deri 74 për qind nga planifikimet fillestare. Në vitin 2021 ato kishin realizim prej 97 për qind. E shprehur në shifra, në vitin 2020 ishin parashikuar 386 milionë euro për investime kapitale që me rishqyrtimin e buxhetit janë shkurtuar në 319 milionë euro, ndërsa deri në fund të vitit janë realizuar 262 milionë euro. Në vitin 2019 ishin planifikuar 422 milionë euro investime kapitale, ndërsa deri në fund të vitit u realizuan 290 milionë euro. Në vitin 2018 nga 391 milionë euro të planifikuara u realizuan gjysma e tyre. (koha.mk)

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 31 Tetor, 2024 20:55