Kurtulmush: Të gjithë popujt e Ballkanit të përpiqen në unitet drejt qëllimeve të përbashkëta

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 23 Dhjetor, 2024 13:36

Kurtulmush: Të gjithë popujt e Ballkanit të përpiqen në unitet drejt qëllimeve të përbashkëta

Kryetari i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Türkiyes (TBMM), Numan Kurtulmuş tha se vendi i tij dëshiron që popujt e Ballkanit të përpiqen në unitet drejt qëllimeve të përbashkëta, raporton Anadolu.

Kryeparlamentari turk Kurtulmuş, i cili po qëndron për vizitë në Maqedoninë e Veriut, mori pjesë në një konferencë në Universitetin e Tetovës (UT) me temë “Në kërkim të një sistemi të ri global”, ku të pranishëm ishin edhe rektori i UT-së, prof. dr. Jusuf Zejneli, ambasadori i Türkiyes në Shkup, Fatih Ulusoy, politikanë, akademikë, përfaqësues të institucioneve vendase dhe turke në vend, studentë dhe mysafirë të tjerë.

Në fjalën e tij, Kurtulmuş përmendi sfidat me të cilat po përballet bota, si ndryshimet klimatike, pabarazia midis kombeve dhe luftërat.

Ai tha se bota nuk mund të pësojë ndryshim drejt një sistemi më të drejtë dhe luftërat nuk mund të ndalen përderisa në rendin aktual botëror dominojnë një numër i vogël shtetesh, duke përmendur të drejtën e vetos të pesë vendeve anëtare të përhershme në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB).

“Ajo që e thekson në çdo rast president ynë Recep Tayyip Erdoğan, që bota është më e madhe se pesë, nuk është vetëm një kërkesë politike, por kërkesë për drejtësi, është një thirrje për drejtësi. Bota nuk është një vend që duhet administruar nga ajo që thonë vetëm pesë vende”, tha Kurtulmuş duke theksuar nevojën për vendosjen e një rendi të ri botëror.

“Agresioni i Izraelit, gjenocidi dhe krimet sistematike të luftës në Gaza na tregojnë edhe një herë se të drejtat themelore të njeriut janë minuar”, tha kryeparlamentari turk. Ai nënvizoi katër parime që janë të nevojshme për një rend të duhur botëror.

“Duhet një përpjekje e rëndësishme që sistemi i ri të ndërtohet mbi katër parimet themelore, drejtësia, inkluzioni, pjesëmarrja dhe konsistenca”, tha Kurtulmuş. Ai tha Türkiye e sheh veten si pjesë e pandashme e rajonit të Ballkanit. “Të gjithë popujt këtu ne i shohim si anëtarë të familjes sonë”, shtoi Kurtulmuş.

“Ne do t’i vazhdojmë marrëdhëniet tona të ngushta me të gjithë popujt e rajonit të Ballkanit”, theksoi kryetari i Parlamentit të Türkiyes, duke shtuar: “Ne dëshirojmë që të gjithë popujt e Ballkanit të bëjnë përpjekje së bashku dhe në unitet drejt qëllimeve të përbashkëta”.

Kurtulmuş arriti të shtunën në Shkup për një vizitë treditore së bashku me një delegacion në të cilin bëjnë pjesë nënkryetari i Grupit Parlametar të AK Partisë, Bahadır Yenişehirlioğlu, kryetari i Grupit Ndërparlamentar të Miqësisë Türkiye-Maqedoni e Veriut, deputeti i AK Partisë Ahmet Kılıç, deputetët e AK Partisë, Kayhan Türkmenoğlu dhe Yusuf Ahlatcı, nënkryetari i Grupit Parlamentar të Miqësisë Türkiye-Maqedoni e Veriut, deputeti i CHP-së Vecdi Gündoğdu, deputeti i MHP-së, Fevzi Zırhlıoğlu, deputeti i Partisë Saadet, Mustafa Bilici dhe ambasadori i Türkiyes në Shkup, Fatih Ulusoy.

Ai në Shkup u takua me homologun e tij Afrim Gashi, kryeministrin Hristijan Mickoski dhe presidenten Gordana Siljanovska-Davkova, ndërsa po ashtu mori pjesë në një pritje solemne me rastin e 21 Dhjetorit, Ditës së Arsimit në Gjuhën Turke në Maqedoninë e Veriut.

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 23 Dhjetor, 2024 13:36