20 vjet “Flaka e Janarit” në Gostivar
Në Gostivar u mbajt manifestimi tradicional “Flaka e Janarit” për të 20 vjet me radhë në kujtimi të Jusuf e Bardhosh Gërvallës, Kadri Zekës dhe martirëve të tjerë të kombit të rënë në altarin e lirisë pikërisht nëpër janare.
I pranishëm në këtë event ishte edhe lideri i BDI-së Ali Ahmeti i cili shtoi se fatkeqësisht, rreziqet ende ekzistojnë; armiqtë e shqiptarëve vazhdojnë të hartojnë plane të ndryshme kundër shqiptarëve. Prandaj, çdo përvjetor i heronjve tanë le të na kujtojë planet ogurzeza të armiqve dhe të na frymëzojë për të mbrojtur arritjet e kombit tonë.
“Së bashku me shumë bashkëveprimtarë të çështjes kombëtare dhe familjarë të dëshmorëve, morëm pjesë në 20-vjetorin e Akademisë solemne në kuadër të “Flakës së Janarit” në Gostivar, në nderim të veprimtarisë kombëtare të tre heronjve, Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, por edhe të të gjithë dëshmorëve të kombit. Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka janë shembull i veprimtarisë kombëtare të shqiptarëve, që kulmoi me themelimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ata luajtën një rol kyç në unifikimin e grupeve të ndryshme ilegale të kohës, duke krijuar një front të rezistencës dhe një lëvizje mbarëkombëtare të shqiptarëve në ish-Jugosllavi, që përfundimisht i solli lirinë dhe pavarësinë Republikës së Kosovës. Fatkeqësisht, rreziqet ende ekzistojnë; armiqtë e shqiptarëve vazhdojnë të hartojnë plane të ndryshme kundër shqiptarëve. Prandaj, çdo përvjetor i heronjve tanë le të na kujtojë planet ogurzeza të armiqve dhe të na frymëzojë për të mbrojtur arritjet e kombit tonë”, u shpreh Ahmeti.
Të pranishëm ishin shumë figura eminte dhe veprimtarë të kauzës kombëtare, ndërkohë që përskaj fjalimeve dhe programit artistik u ndanë edhe mirënjohje nga ana e organizatorëve.
Kujtojmë që në Gostivar për të njëzetin vit me radhë organizohet manifestimi Flaka e Janarit, një iniciativë e veprimtarit Luan Veliu.