Xhaferi thotë se shqiptarët po përjashtohen nga Ministria e Mbrojtjes, reagon kjo e fundit!

Flaka
Botuar nga Flaka 6 Shkurt, 2025 21:32 Përditësuar

Xhaferi thotë se shqiptarët po përjashtohen nga Ministria e Mbrojtjes, reagon kjo e fundit!

 Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh shqetësim të thellë për përkeqësimin e skajshëm të përfaqësimit të shqiptarëve në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ushtrinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Në muajt e fundit, po zbatohet një politikë diskriminuese, ku shqiptarët po përjashtohen plotësisht nga pozitat kyçe, ndërsa oficerët me përvojë po degradohen. Sipas të dhënave të fundit:
– Nga 10 drejtorë në sistematizimin e ri, asnjë nuk është shqiptar.
– Nga 12 këshilltarë në Ministrinë e Mbrojtjes, vetëm 1 është shqiptar.
– Nga 29 udhëheqës sektorësh në ministri, asnjë nuk është shqiptar.
– Nga 13 udhëheqës sektorësh në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë, asnjë nuk është shqiptar.
– Nga 30 komandantë batalionesh, vetëm 5 janë shqiptarë.
– Oficerët shqiptarë me grada të larta dhe kualifikime profesionale po degradohen ose largohen nga pozitat kyçe. Gjithashtu, situata është rënduar me:
– Ndaljen e avancimeve të oficerëve dhe nënoficerëve shqiptarë, edhe kur i plotësojnë kriteret.
– Përjashtimin sistematik të shqiptarëve nga programet e edukimit ushtarak jashtë vendit. • Rritjen e gjuhës së urrejtjes dhe retorikës nacionaliste, siç ishte rasti me SHKA “Bajram Shabani” në kazermën e Kumanovës.

Përfaqësimi i shqiptarëve në Ushtri është në nivelin më të ulët historik, duke shpërfillur parimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat. Politizimi ekstrem ka arritur kulmin, me emërime partiake në vend të kuadrove profesionale.

Gjatë mandatit 9-mujor të Presidentes Siljanovska janë avancuar dy gjeneralë:
– Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Lafçiski, u gradua në gjeneral major.
– Koloneli Çiplakovski u avancua në gjeneral brigade.

Në të njëjtën kohë, asnjë oficer shqiptar nuk është graduar në gjeneral. Përkundrazi, po promovohen gjeneralë të shkolluar në Beograd, që përkon me vizitën e fundit të Dodikut.

Situata në Shërbimin e Inteligjencës Ushtarake është alarmante: as drejtori, as tre zëvendësit e tij nuk janë shqiptarë. Për herë të parë pas shumë vitesh, në tri njësitë elitare (Ujqit, Rangerët dhe Policia Ushtarake) nuk ka asnjë komandant apo zëvendës komandant shqiptar, ndryshe nga më parë, kur shqiptarët kishin përfaqësim të dinjitetshëm.

Forcat Ajrore janë në gjendjen më të keqe që nga pavarësia. Përfaqësimi i shqiptarëve në komandat e NATO-s mbetet i papranueshëm. Modernizimi i Ushtrisë është ndalur.

Nuk ka garanci për dorëzimin e mjeteve të blinduara JLTV dhe Stryker apo sistemeve kundërajrore Mistral.

Gatishmëria luftarake është në nivelin më të ulët. Për herë të parë që nga pavarësia, ushtarët kanë mbetur pa ushqim për shkak të dështimeve në prokurimet publike.

Gjysma e rekrutëve të rinj nuk kanë uniforma dhe detyrohen të veshin uniforma të vjetra të shkretëtirës.

Kushtet në kazerma janë mizerable, ndërsa mjetet ushtarake janë të vjetruara dhe të pasigurta, të mbetura nga vitet ’90. Ushtaraket shqiptare diskriminohen dhe nuk kanë përfaqësim në pozita drejtuese, çka i detyron shumë prej tyre të largohen nga vendi.

Rasti i fundit me emërimin e shefit të Shtabit të Përgjithshëm nga presidentja, pa bazë kushtetuese dhe pa procedurë të duhur, ka krijuar një valë të re pakënaqësie tek oficerët shqiptarë, nga të cilët disa po shqyrtojnë largimin nga shërbimi ushtarak.

BDI dënon ashpër këtë degradim dhe kërkon:
1. Ndërprerjen e diskriminimit sistematik dhe rikthimin e përfaqësimit të drejtë të shqiptarëve në të gjitha nivelet.
2. Depolitizimin e Ushtrisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes, duke ndaluar emërimet partiake. 3. Garantimin e të drejtave dhe dinjitetit të personelit ushtarak shqiptar, përfshirë mundësi të barabarta për arsimim dhe avancim.

Gjendja aktuale është e papranueshme dhe në kundërshtim me parimet e barazisë dhe integrimit euro-atlantik të vendit.

Nëse kjo situatë vazhdon, pasojat do të jenë të rënda, jo vetëm për shqiptarët, por edhe për stabilitetin dhe funksionimin profesional të Ushtrisë si institucion shtetëror.

Në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Armatë nuk ka vend për diskriminim në asnjë bazë, partizimin e mëparshëm e kemi zëvendësuar me respektimin e procedurave ligjore, thonë nga Ministria e Mbrojtjes në reagimin e sotëm me shkrim në të cilën kategorikisht i hedhin poshtë pretendimet e bëra sot nga deputeti i BDI-së Talat Xhaferi.

“Deputeti Talat Xhaferi, i cili si ish ministër i Mbrojtjes dhe deri vetëm shtatë muaj më parë pjesë e qeverisë së koalicionit, duhet të dijë se si funksionon sistemi i mbrojtjes”, thuhet në reagim.

Nga Ministria e Mbrojtjes theksojnë se në krye me ministrin Vllado Misajllovski, në mënyrë më profesionale dhe më të përgjegjshme e respektojnë parimin e përfaqësimit adekuat dhe të drejtë të të gjitha komuniteteve, i cili bazohet në kriteret e profesionalitetit dhe kompetencës dhe zbatohet gjatë punësimit, procesit të orientimit në karrierë, aftësimit profesional, aftësimit të avancuar dhe arsimimit të të gjithë të punësuarve në Ministri.

“Siç është i njoftuar opinioni tani, Ministria e Mbrojtjes është aktualisht në proces riorganizimi të brendshëm strukturor, ndaj dhe gjetjet janë interpretuar në mënyrë arbitrare dhe paushall. Deputeti Xhaferi me vetëdije po shpërndan dezinformata edhe pse e di shumë mirë se që nga ndërrimi i pushtetit në vend në fund të qershorit të vitit 2024, asnjë pjesëtar i komunitetit etnik shqiptar nuk është ndryshuar, degraduar apo diskriminuar në përputhje me sistematizimin e ri në Ministri”, theksojnë nga Ministria e Mbrojtjes.

Për të ilustruar situatën aktuale, ata theksojnë se aktualisht, postin e zëvendësministrit në Ministrinë e Mbrojtjes e mban një pjesëtar i komunitetit etnik shqiptar.

“Pjesëtarët e komunitetit etnik shqiptar janë të përfaqësuar në të gjitha strukturat e Ministrisë dhe të Armatës, duke filluar nga organet më të larta drejtuese, gjegjësisht nga pozitat e punës këshilltar shtetëror, shef sektori, ndihmës shef sektori, shef departamenti dhe të gjitha pozitat e tjera, si dhe në të gjitha nivelet e Armatës nga ushtarë profesionistë deri te gjeneralë”, thuhet në reagim.

Nga Ministria e Mbrojtjes theksojnë se në periudhën e kaluar vëmendje të veçantë i kanë kushtuar masave inkurajuese për të inkurajuar dhe inkorporuar përfaqësimin e duhur dhe të drejtë të komuniteteve, veçanërisht kur bëhet fjalë për shpalljet interne, por edhe për shpalljet dhe konkurset publike.

Lidhur me informacionin e paraqitur për numrin e personelit ushtarak në Armatë me pjesëtarë të përkatësisë etnike shqiptare, nga Ministria e Mbrojtjes informojnë se në janar të vitit 2025, përfaqësimi është 24,26 për qind, ose 1,18 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur ishte 23,08 për qind. Për sa i përket kuadrit të komandantëve, në disa njësi, pjesëtarët e Armatës me kombësi shqiptare janë rreth 30 për qind, dhe për shembull, përfaqësimi në Policinë Ushtarake është 29,27 për qind.

Deputeti i BDI-së dhe ish kryetar i Kuvendit, Talat Xhaferi, në konferencën e sotme për media theksoi se muajt e fundit është zbatuar një politikë diskriminuese, ku shqiptarët janë përjashtuar plotësisht nga pozitat udhëheqëse, si dhe është vërejtur një proces i degradimit të oficerëve me përvojë.

Pas akuzave të përditshme të BDI-së ndaj qeverisjes së VLEN-it, dhe siç thonë ata, de-shqiptarizim të institucioneve në Maqedoninë e Veriut, VLEN-i sot doli me kundërakuza ndaj të njëjtës parti.

Nga kjo e fundit thonë se BDI-ja për 22 vite, me një bandë politikanësh, kanë mbajtur peng shqiptarët me premtime boshe, kontrata tremujore, shpëtimin e Mijallkovit, ndihmën për arratisjen e Gruevskit, zhytjen e rinisë në varfëri dhe bixhoz. Nuk u la pa u përmendur edhe fakti i futjes në listën e zezë amerikane të Artan Grubit dhe gjyqtarit, Enver Bexheti.

Flaka
Botuar nga Flaka 6 Shkurt, 2025 21:32 Përditësuar