Zyrtarizohet interpelanca në Kuvend për pesë anëtarë të Këshillit Gjyqësor

Flaka
Botuar nga Flaka 7 Shkurt, 2025 23:08

Zyrtarizohet interpelanca në Kuvend për pesë anëtarë të Këshillit Gjyqësor

Grupet parlamentare të partive në pushtet kanë dorëzuar interpelancë për punën e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të zgjedhur nga Kuvendi. Sipas pushtetit, një hap i tillë ishte i nevojshëm për të rikthyer besimin në sistemin gjyqësor dhe për të forcuar sundimin e ligjit përmes reformave serioze dhe ndryshimeve rrënjësore. Pushteti kërkoi mbështetjen e të gjitha partive parlamentare opozitare dhe të gjithë deputetëve të tjerë për këto ndryshime.

“Konkretisht, neni 100, paragrafi 8 i Ligjit për Këshillin Gjyqësor parasheh që nëse Kuvendi i Republikës së Maqedonisë nuk e miraton Raportin për punën e Këshillit Gjyqësor dhe ai nuk është miratuar, kjo do të jetë bazë për inicimin e debatit para organeve që i kanë zgjedhur anëtarët e Këshillit Gjyqësor për punën e tyre në Këshill. Kjo flet shumë dhe është vetëm një nga arsyet e shumta se përse ne po paraqesim sot këtë interpelancë. Bashkimi Evropian dhe opinioni në Republikën e Maqedonisë vazhdimisht kanë theksuar mangësi serioze në punën e Këshillit Gjyqësor, veçanërisht në aspektin e pavarësisë, transparencës dhe llogaridhënies.”, – deklaroi Nikolla Micevski nga VMRO-DPMNE.

“Procesi duhet të jetë inkluziv, të ketë konsensus. Ja, që nuk duam ne të kemi të drejtë ekskluzive që t’i bëjmë këto ndryshime. U bëjmë thirrje të gjithë deputetëve në Kuvend, nëse pajtohen se duhet të shkarkohet ky Këshill Gjyqësor që ata e kanë votuar, u bëj thirrje që kur kjo pikë të jetë në rend dite, të votojnë.”, – theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.

“Këshilli Gjyqësor, i cili si organi më i lartë i sistemit të gjyqësisë, që bën zgjedhjen e gjyqtarëve, emërimin dhe shkarkimin e gjyqtarëve, është një organ i cili fatkeqësisht për shoqërinë tonë zhvillon politika ditore të subjekteve të caktuara politike. Ky Këshill Gjyqësor me këta anëtarë nuk ka kredibilitetin e caktuar moral, nuk ka integritetin gjyqësor, që të ushtrojë funksionin e tij të caktuar.”, – theksoi Fatmir Sabriu nga VLEN.

Në Ligjin e ri për Këshillin Gjyqësor që është në përpunim e sipër, pushteti kërkon që shkarkimi i anëtarëve nga ana e Kuvendit të parashihet me ligj. Në thjerrëzën e deputetëve për interpelancë janë pesë anëtarët e Këshillit Gjyqësor e përcaktuar me termin “jurist të shquar”, që janë anëtarët e zgjedhur nga Kuvendi. Aktualisht në Këshill si “jurist të shquar” janë: Vesna Dameva, e cila së fundmi ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetares, Pavlina Cërvenkovski, Selim Ademi, Milazim Mustafa dhe Tanja Çaçarova Ilievska

Flaka
Botuar nga Flaka 7 Shkurt, 2025 23:08
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Flaka Media