Ekspertët turq e këshillojnë Mirtezanin për  rrugën drejt BE-së 

Flaka
Botuar nga Flaka 13 Mars, 2025 11:42

Ekspertët turq e këshillojnë Mirtezanin për  rrugën drejt BE-së 

Ministri për Çështje Evropiane Orhan Murtezani, sot ishte nikoqir i delegacionit diplomatik nga Turqia në kuadër të takimit për shkëmbimin e përvojave në procesin e integrimit evropian. Në fjalën e tij përshëndetëse, Ministri Murtezani theksoi se bashkëpunimi i thelluar me Turqinë është i rëndësisë së madhe për Maqedoninë e Veriut, posaçërisht në drejtim të përforcimit institucional, harmonizimit me standardet evropiane dhe përmirësimit të kapaciteteve për menaxhimin e fondeve evropiane.

“Ky takim është dëshmi për marrëdhëniet e mira dhe të qëndrueshme mes Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut. Siç theksova edhe gjatë vizitës sime të fundit në Ankara, partneriteti ynë është i rrënjosur thellë në histori, por njëkohësisht është i kahësuar drejt të ardhmes, të ndërtuar mbi aspiratat dhe qëllimet e përbashkëta. Diskutimet e sotme janë një hap më shumë drejtë mësimit të përvojave të ndërsjella” – theksoi MÇE Murtezani.

Takimi u fokusua në disa tema dhe panele kyçe, ku përfaqësuesit nga të dy delegacionet ndanë njohuritë dhe ekspertizën e tyre. Në panelin e parë, pala turke prezantoi përvojat e tyre nga procesi i aderimit, me fokus të veçantë në strukturën institucionale, mekanizmat e negociatave dhe sfidat kryesore që i kanë tejkaluar ndër vite. Ekspertët nga Ministria për Çështje Evropiane të Maqedonisë së Veriut, folën për statusin aktual të integrimit evropian të vendit dhe prioritetet që pasojnë në periudhën e ardhshme.

Në kuadër të panelit të dytë u diskutua për përgatitjen e versionit nacional të ligjit të BE-së, ku ekspertët nga të dyja palët i prezantuan strukturat e tyre organizative, procedurat e përkthimit dhe koordinimit, revizionin ligjor dhe profesional të akteve të përkthyera, si dhe krijimin e bazave terminologjike, të cilat janë kyçe për transpozimin e saktë dhe të transmetimit konsistent të ligjit të Bashkimit Evropian në sistemin ligjor nacional.

Paneli i tretë iu kushtua bashkëpunimit financiar me BE-në dhe shfrytëzimit të IPA fondeve. Pala maqedonase dhe turke prezantuan përvojat e tyre në programimin, zbatimin dhe monitorimin e fondeve evropiane, me theks të veçantë në mekanizmat për menaxhim efikas të mjeteve dhe sigurimin e shfrytëzimit maksimal të tyre.

Paneli i fundit u fokusua në bashkëpunimin ndërkufitar dhe rajonal, ku u shqyrtuan mundësitë për projekte të përbashkëta në kuadër të programeve evropiane. Të dyja palët theksuan rëndësinë e nismave të tilla për nxitjen e zhvillimit ekonomik, ndërlidhjes infrastrukturore dhe ndërtimit të marrëdhënieve më të fuqishme mes institucioneve.

Flaka
Botuar nga Flaka 13 Mars, 2025 11:42
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Flaka Media