Komandant Qufa: Ne nuk heshtëm në 2001, pse duhet të heshtim sot?
Ish komandanti i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Zylfi Adili i njohur me emrin si komandant Qufa përmes një postimi ka kujtuar 24 vjetorin e fillimit të luftës së UÇK-së duke shënuar se ata nuk heshtën në vitin 2001, Pse duhet të heshtim sot?, shkruan Top24
Ne nuk heshtëm në vitin 2001. Pse duhet të heshtim sot?
14 mars 2001, plot 24 vite që kur krismat nga kalaja e Tetovës paralajmëruan ardhjen e ndryshimit, kthimin e dinjitetit dhe ngjalljen e shpresës për shqiptarët e Maqedonisë. Kjo pjesë e historisë, është e lavdishme nga vetë rezultati i saj, që ishte Marrëveshja Paqësore e Ohrit, me të cilën kishim avancim të statusit politiko – juridik të shqiptarëve në Maqedoni. Edhe kjo fal, gjakut të dëshmorëve dhe djersës së luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Po çfarë ndodhi më pas? Ashtu, sikurse gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur shqiptarët luftuan dhe u çliruan nga pushtuesit, politika e pas luftës i la ato në dorën e të ashtuquajturit “pushtet popullor” i cili udhëhiqej nga jugosllavët me parullën e “Bashkim-Vëllazërimit”, e që në fakt ishte nënshtrim i plotë i shqiptarëve. Por çfarë po na ndodh tani? A po na përsëritet historia?
Duke kujtuar 14 marsin e vitit 2001, më dalin përpara syve bashkëluftëtarët, mundi dhe sakrifica, për ti siguruar një jetë me standard dhe dinjitet, gjeneratave të reja, në vendin e tyre pranë familjeve të tyre. Me krenari dhe guxim të pashoq vepruam deri në vetëmohim për këtë ideal. Si përfundim, me të gjithë këtë sakrifice, deri edhe në atë sublimen, duke derdhur edhe gjakun, arritëm një marrëveshje paqe. Kjo marrëveshje, e quajtur Marrëveshje Kornizë e Ohrit, ishte me garanci ndërkombëtare, e cila solli paqe në shtetin tonë. Lojërat politike e zvarritën atë deri në devalvim, për hir të interesave individuale dhe partiake, duke mbajtur peng zhvillimin e vendit.