Njëzet nga gjithsej 155 të lënduarit në zjarrin në diskotekën në Koçan, janë në gjendje kritike

Flaka
Botuar nga Flaka 16 Mars, 2025 16:37

Njëzet nga gjithsej 155 të lënduarit në zjarrin në diskotekën në Koçan, janë në gjendje kritike

Njëzet nga gjithsej 155 të lënduarit në zjarrin në diskotekën në Koçan, të cilët janë në gjendje kritike, do të dërgohen për trajtim të mëtejshëm jashtë vendit. Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, sot nga spitali i Shtipit njoftoi se në spitalin e Koçanit janë të shtruar 30 pacientë, në spitalin e Shtipit ka 39 pacientë, në Qendrën Klinike në Shkup janë të shtruar 31 pacientë, në Spitalin e Përgjithshëm “8 Shtatori” 24 pacientë, dhe 28 pacientë po trajtohen në Klinikën e Sëmundjeve Kirurgjikale “Shën Naum Ohri” në Shkup.

“Disa nga pacientët më të rëndë, të cilët normalisht janë në Shkup, tashmë jemi në komunikim me vendet fqinje, por edhe me shtete të tjera që na kontaktojnë për të ndihmuar në dërgimin e tyre për trajtim atje. Sipas anesteziologëve tanë, ndoshta 18 deri në 20 pacientë do të kenë nevojë të transportohen jashtë shtetit për trajtim të mëtejshëm. Po flas për ata që janë në gjendje më kritike, gjithsej rreth 20 pacientë janë në gjendje të rëndë. Disa pacientë do të dërgohen në Bullgari, në Turqi, Greqi, Beograd. Edhe nga Shqipëria na kanë kontaktuar, Holanda ka ofruar trajtim, por ua kam lënë ekipit të anesteziologëve të përcaktojnë se ku do të ishte më e mira për trajtimin e mëtejshëm të këtyre pacientëve në gjendje kritike,” tha ministri Taravari.

Sa i përket pacientëve të shtruar në spitalin e Shtipit, ministri Taravari informoi se ata janë në gjendje relativisht të qëndrueshme. Shumica kanë djegie, por ka edhe disa me fraktura.

Drejtori i spitalit të Shtipit, Vladko Zaharievi, tha se pacientët e parë i kanë pranuar në orën 03:30 të mëngjesit. Nga Koçani atje kanë mbërritur rreth 80 pacientë. Të gjithëve u është ofruar ndihmë, ndërsa ata në gjendje më të rëndë janë dërguar menjëherë në Shkup. Në spitalin e Shtipit janë sjellë shtatë trupa pa shenja jete.

Flaka
Botuar nga Flaka 16 Mars, 2025 16:37