Vdes babai i ish Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi

Flaka
Botuar nga Flaka 16 Mars, 2025 22:50 Përditësuar

Vdes babai i ish Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi

Ka ndërruar jetë Haxhi Thaçi, babai i Hashim Thaçit, i cili ishte i shtruar në Qendrën Klinike Universitare në gjendje të rëndë shëndotësore, ku edhe ditëve të fundit u vizitua nga Hashim Thaçi.

Haxhi Thaçi ka ndërruar jetë në QKUK para disa minutave. Për këtë ka reaguar nipi i të ndjerit, djali i Hashim Thaçit, Endriti. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai ka shkruar një mesazh prekës për gjyshin e tij.

“Baci i mbylli sytë i qetë pas takimit të fundit me babin. Ke qenë gjithmonë frymëzim për mua dhe familjen. Vuajtjet nga padrejtësia u bënë të papërballueshme. Prehu në paqe.”

Më 13 mars 2025 ish-presidenti Hashim Thaçi vizitoi babain e tij në Spital. Ish-presidenti i Kosovës po vinte për ta parë nga afër babain e tij të sëmurë, Haxhi Thaçin, i cili po trajtohet në spital për të tretën herë radhazi brenda vitit, pas sulmeve në tru e problemeve me veshkë. Pas vizitës, Hashim Thaçi u kthye në paraburgim në Hagë.

Mjeku  Adriatik Berisha njoftoi që pacienti ishte në gjendje të rënduar shëndetësore, me disa sëmundje shoqëruese. Tash e disa javë ishte i hospitalizuar dhe ka marrë shërbime profesionale nga shumë profesionist shëndetësore përfshirë disa klinika të cilat duhen vlerësuar për punën e jashtëzakonshme!

“Ka kohë që pacientin në fjalë e përcjell dhe e hulumtoj, aq sa më lejon gjendja e tij dhe në aspekt hematologjik! Për shkak të gjendjes së rënduar të pacientit kam përshkruar një raport mjekësor profesional në detaje gjendjen e tij aktuale dhe pritjet nga gjetjet në vijim”, tha Berisha.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të Haxhi Thaçit, babait të ish-presidentit Hashim Thaçi.

Krasniqi e ka cilësuar Haxhi Thaçin si një njeri të urtë dhe fisnik, i cili la pas një trashëgimi të pavdekshme në historinë e Kosovës.

Ai theksoi se ndarja e tij nga jeta nuk është thjesht humbja e një individi, por e një figure që ndihmoi në lindjen e një epoke të re për kombin shqiptar, duke edukuar një çlirimtar dhe një udhëheqës – si Hashim Thaçi.

“Me dhembje të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të Haxhi Thaçit, babait të Presidentit Hashim Thaçi. Sot, pas një beteje të gjatë me sëmundjen, nuk u shua vetëm një njeri, por një baba që i dha Kosovës një çlirimtar, një burrë që me përkushtimin dhe edukatën e tij ndihmoi në lindjen e një epoke të re për kombin tonë.

Ngushëllimet më të sinqerta Presidentit Thaçi, familjes Thaçi dhe mbarë kombit shqiptar. Haxhi Thaçi ishte më shumë se një prind – ai ishte një shtyllë e fortë e vlerave atdhetare, një njeri i urtë dhe fisnik, i cili la pas një trashëgimi të pavdekshme në historinë tonë.

U prehtë në paqe!”, ka shkruar Krasniqi.

Nuk dihet nëse ish presidenti Thaçi do të lejohet apo jo në ceremoninë e varrimit. Flaka Media

Flaka
Botuar nga Flaka 16 Mars, 2025 22:50 Përditësuar