Është zgjeruar ekipi i prokurorëve për hetimin e tragjedisë së Koçanit
Nga mëngjesi i sotëm është zgjeruar ekipi i prokurorisë që punon në hetimin për të përcaktuar shkaqet e fatkeqësisë në Koçan dhe aktualisht përbëhet nga dy prokurorë publikë nga Prokuroria Publike e Koçanit, dy prokurorë publikë nga Prokuroria Publike e Shtipit dhe pesë nga Prokuroria Publike e Shkupit. Siç njofton Prokuroria Publike, mbrëmë janë lëshuar disa urdhra shtesë, përfshirë urdhër për kontrollim të serverëve dhe një kompjuteri tjetër në Ministrinë e Ekonomisë dhe urdhër për ekspertizë grafologjike të nënshkrimeve në dokumentacion të caktuar. Kontrolli në vendngjarje vijon edhe sot.
Nga Prokuroria sot në mëngjes informuan se po vijojnë seanca për përcaktimin e paraburgimeve për personat e dyshuar për rastin me zjarrin në diskotekën në Koçan.
Për rastin deri më tani janë marrë në pyetje mbi 20 persona, ndërsa për 11 Prokuroria filloi procedurë për kontroll. Prej tyre për tetë persona tashmë është parashtruar propozim për paraburgim afatshkurtër, përderisa tre të tjerët ende janë hospitalizuar në gjendje më të rëndë shëndetësore.
Në zjarrin i cili ndodhi në diskotekën “Puls” në Koçan jetën e humbën 59 persona të rinj, ndërsa mbi 140 të lënduar janë hospitalizuar në vend dhe jashtë vendit.
Sipas hetimit të deritanishëm të institucioneve, në diskotekë nuk ka pasur rrjet hidrant dhe mjaftueshëm aparate kundër zjarrit, në të jashtëligjshëm ishin shfrytëzuar materiale piroteknike, nuk ka pasur as licencë të vlefshme për punë dhe nuk është lidhur marrëveshje me shkrim mes organizatorit dhe grupit që bënte muzikë